Video/ Dybala i dhuron tifozit të vogël fanellën e ndeshjes, ai nuk i mbajti dot lotët
Rikthimi i Cristian Chivut në “Olimpico” nuk është një ndeshje e zakonshme. Trajneri i Interit do të përballet sërish me Romën, skuadrën e tij të parë italiane dhe një klub me të cilin ka pasur një marrëdhënie sa të fortë, aq edhe të trazuar.
Chivu kaloi katër vite në kryeqytetin italian, duke punuar fillimisht me Fabio Capellon dhe më pas me Luciano Spallettin. Ishte një periudhë që luajti një rol të rëndësishëm në karrierën e rumunit, i cili më vonë do të bëhej pjesë e Interit të famshëm që fitoi Tripletën.
Por ndarja me Romën nuk ishte aspak paqësore. Në vitin 2007, Chivu u largua nga kryeqyteti për t’u transferuar te Interi. Tifozët romanistë nuk ia falën mënyrën e largimit dhe reagimi i tyre ishte i ashpër që në prezantimin e tij në “Stadio Flaminio”. Chivu ishte vetëm 27 vjeç dhe zbriti në fushë në heshtje, pavarësisht koreve dhe ofendimeve që vinin nga tribunat. Problemet kishin nisur më herët, pas një deklarate të tij për Fabio Capellon. Në nëntor 2005, pas barazimit 1-1 ndaj Strasbourgut në Kupën UEFA, Chivu kishte folur me respekt për ish-trajnerin e tij, i cili në atë kohë drejtonte Juventusin. “Capello më solli në Romë dhe do t’i jem gjithmonë mirënjohës. Do të ishte kënaqësi të punoja sërish me të”, kishte deklaruar ai.
Më pas shtoi se në futboll nuk mund të dihej kurrë se çfarë do të ndodhte me një lojtar, pavarësisht kontratës. Për tifozët e Romës, kjo mjaftoi. Disa javë më vonë, kur Chivu u rikthye në formacion pas mungesës ndaj Fiorentinës, “Olimpico” e priti me fishkëllima nga minuta e parë deri në të fundit. Presioni ishte aq i madh sa rumuni iu drejtua një psikologu për ta përballuar atë periudhë. Por historia nuk përfundoi me largimin nga Roma.
Sa herë Chivu rikthehej në “Olimpico” si kundërshtar, situata ishte e tensionuar dhe shpesh ai shoqërohej me eskortë. Kulmi erdhi më 5 maj 2010. Interi sapo kishte fituar Kupën e Italisë ndaj Romës dhe Chivu, i provokuar nga fishkëllimat dhe ofendimet e vazhdueshme gjatë ndeshjes, iu përgjigj tribunave duke ngritur gishtin e mesit dhe duke bërë gjeste fyese. Ishte një moment që bëri xhiron e mediave italiane. Chivu u referua për episodin, por më vonë kërkoi falje. “Mund të tregoj shumë arsye për të shpjeguar ose justifikuar një gjest instinktiv, por kur gabon, kërkon falje”, deklaroi ai.
Ironikisht, ai sezon do të përfundonte në mënyrën më të bukur të mundshme për Chivun. Pasi kishte kaluar edhe një moment dramatik për jetën e tij pas përplasjes me Sergio Pellissier, rumuni e mbylli sezonin si kampion i Italisë dhe Evropës me Interin, duke fituar Tripletën. Tani, pas shumë vitesh, Chivu rikthehet sërish në “Olimpico”, këtë herë si trajner. Mund të ketë sërish fishkëllima, por koha ka kaluar. Edhe historia e vjetër me tifozët e Romës, përfshirë atë gjest të vitit 2010 për të cilin Chivu më vonë u pendua, tashmë i përket së kaluarës.
Top Channel