Ngriti alarm për bombë në shkollën “Edith Durham”, shoqërohet personi që telefonoi policinë
Asociacioni i Gazetarëve Shqiptarë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një padi që lidhet me rregulloren e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Kreu i Asociacionit të Gazetarëve Shqiptarë, Isa Myzyraj, është paraqitur në Gjykatën Kushtetuese, ku pritet të dorëzojë padinë kundër rregullores së GJKKO-së.
Sipas informacioneve, padia përmban 127 faqe dhe kërkon shfuqizimin si antikushtetuese të dispozitave të rregullores që, sipas Asociacionit, prekin ushtrimin e veprimtarisë së gazetarëve dhe raportimin mediatik.
Krahas kërkesës për shfuqizimin e rregullores, Asociacioni ka kërkuar edhe sigurimin e padisë, duke kërkuar ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese për të parandaluar efektet që mund të sjellë zbatimi i dispozitave të kundërshtuara deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
Dokumenti prej 127 faqesh është paraqitur nga përfaqësuesit e Asociacionit, ndërsa pritet që kreu i AGSH-së, Isa Myzyraj, të japë një deklaratë për mediat pasi të dalë nga ambientet e Gjykatës Kushtetuese.
Çështja pritet të marrë në vijim vëmendje të veçantë për shkak të ndikimit që rregullorja e GJKKO-së mund të ketë në raportimin mediatik dhe marrëdhënien mes institucioneve të drejtësisë dhe gazetarëve.
Rregullorja e re e hartuar nga Erion Bani u fut në fuqi nga 1 shtatori dhe vendos kufizime e ndalime, që praktikisht e pamundësojnë mbulimin mediatik të proceseve gjyqësore në këtë Gjykatë.
Prania e kamerave bëhet thuajse e pamundur, ndërsa gazetarëve, të cilët duhet të kërkojnë leje për ndjekjen e çdo seance, iu hiqet dhe përdorimi i telefonave celularë, si një mjet pune për transmetimin në kohë reale të informacionit në redaksi.
Përmbledhje e padisë së gazetarëve:
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë po i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar disa dispozita të Rregullores së Brendshme të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të miratuar me vendimin nr. 49, datë 17 korrik 2026. AGSH kërkon shfuqizimin e pjesëve që cenojnë lirinë e medias, publicitetin e procesit gjyqësor, aksesin e publikut dhe autonominë editoriale, si dhe pezullimin e tyre deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
AGSH nuk kundërshton masat e nevojshme për sigurinë e gjykatës, mbrojtjen e gjyqtarëve, prokurorëve, dëshmitarëve, viktimave apo pjesëmarrësve të tjerë në proces. Kontrolli i hyrjes, ndalimi i armëve dhe mjeteve të rrezikshme, mbrojtja e dëshmitarëve dhe reagimi ndaj rreziqeve konkrete janë masa të ligjshme dhe të domosdoshme. Problemi lind kur, nën emërtimin e një rregulloreje të brendshme për sigurinë dhe rendin, vendosen kufizime të përgjithshme ndaj gazetarëve, publikut, dhe personave të tjerë që nuk janë në varësi administrative të gjykatës.
AGSH: Rregullorja tejkalon karakterin e një akti të brendshëm
Megjithëse paraqitet si “rregullore e brendshme”, akti nuk kufizohet në organizimin e administratës dhe personelit të GJKKO-së. Ai përcakton kushtet e hyrjes së gazetarëve dhe publikut, pajisjet që mund të përdoren, procedurat e akreditimit, afatet për paraqitjen e kërkesave, mënyrën e fotografimit dhe filmimit, transmetimin e seancave dhe përdorimin e mëvonshëm të materialeve nga redaksitë.
Sipas Kushtetutës, aktet me karakter të brendshëm janë të detyrueshme vetëm për strukturat që varen nga organi që i ka miratuar. Në momentin kur një akt kushtëzon të drejtat e personave të tretë, përcakton leje, refuzime, përjashtime apo masa ndëshkuese ndaj tyre, ai fiton efekte të jashtme dhe nuk mund të trajtohet më thjesht si një dokument i brendshëm administrativ.
Kufizimet e të drejtave themelore duhet të vendosen me ligj
Një nga argumentet kryesore të AGSH-së është se Këshilli i Gjykatës nuk ka kompetencë të krijojë, përmes një rregulloreje administrative, kufizime thelbësore të lirisë së shprehjes, lirisë së medias dhe publicitetit të procesit gjyqësor.
Kushtetuta parashikon se të drejtat dhe liritë themelore mund të kufizohen vetëm me ligj, për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë i domosdoshëm, proporcional dhe nuk mund të cenojë thelbin e së drejtës.
Rregullorja, në të kundërt, ndërton një sistem të gjerë autorizimesh dhe kontrollesh administrative. Për të ndjekur dhe raportuar një seancë publike, gazetarit mund t’i kërkohet të kalojë nëpër akreditim, kërkesë paraprake për seancën konkrete, afat 24-orësh, verifikim administrativ, kontroll të pajisjeve dhe autorizim të posaçëm për fotografim, filmim ose transmetim.
Vendosja e disa filtrave njëri pas tjetrit rrezikon ta shndërrojë ndjekjen e një seance publike nga një e drejtë në një privilegj që varet nga miratimi i administratës së gjykatës.
Cenimi i lirisë së medias dhe autonomisë editoriale
Dispozitat e kundërshtuara prekin jo vetëm aksesin fizik të gazetarëve, por edhe mënyrën se si media mbledh, përpunon dhe publikon informacionin.
Rregullorja vendos kufizime për kamerat, pajisjet profesionale, transmetimin e drejtpërdrejtë dhe regjistrimin audioviziv. Ajo përmban gjithashtu formulime që ndalojnë ose kufizojnë “montimin”, përdorimin “jashtë kontekstit” dhe përdorimin “për qëllime tregtare” të materialeve.
Montimi është pjesë normale dhe e domosdoshme e punës gazetareske. Një seancë disaorëshe duhet të përmblidhet në një kronikë televizive, edicion lajmesh, dokumentar apo analizë. Trajtimi i montimit si një sjellje potencialisht e ndaluar, pa kërkuar që të provohet manipulimi ose shtrembërimi i qëllimshëm, krijon pasiguri dhe efekt frenues mbi redaksitë.
Interesi publik dhe prania e medias nuk mund të trajtohen si rrezik
Rregullorja përfshin “çështjet me interes të lartë publik” dhe seancat me pjesëmarrje të madhe të medias në mekanizmat e klasifikimit dhe vlerësimit të rrezikut.
AGSH vlerëson se interesi publik dhe prania e gazetarëve nuk mund të konsiderohen vetvetiu tregues rreziku. Vlerësimi i sigurisë duhet të mbështetet në të dhëna konkrete për kërcënime, incidente apo rrethana të veçanta, jo thjesht në faktin se një proces ndiqet nga shumë qytetarë dhe media.
Mungesa e botimit në Fletoren Zyrtare
Një tjetër problem themelor është se Rregullorja nuk është botuar në Fletoren Zyrtare, megjithëse synon të prodhojë pasoja ndaj gazetarëve, publikut dhe subjekteve të tjera të jashtme.
Publikimi në faqen e internetit të GJKKO-së apo afishimi në ambientet e gjykatës nuk e zëvendëson botimin zyrtar që kërkon Kushtetuta për aktet normative me efekte të jashtme. Një person nuk mund t’u nënshtrohet ndalimeve apo masave të parashikuara nga një akt që nuk ka marrë fuqinë juridike të nevojshme për t’iu kundrejtuar të tretëve.
Përse kërkohet pezullimi i menjëhershëm
AGSH kërkon edhe pezullimin e dispozitave të kundërshtuara deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, sepse dëmi që ato mund të shkaktojnë është i menjëhershëm dhe, në shumë raste, i pakthyeshëm.
Më poshtë janë disa citime të drejtpërdrejta dhe të përmbledhura nga kërkesa e AGSH-së, të cilat mund të përdoren në lajm, deklaratë publike ose intervistë.
CITIME NGA KERKESE PADIA
Për qëllimin kryesor të padisë
“Kërkesa nuk synon të ndërhyjë në funksionin juridiksional të trupit gjykues dhe as të kërkojë një të drejtë absolute për kamera ose transmetim të pakufizuar.”
“Ajo që kundërshtohet është zëvendësimi paraprak i këtij vlerësimi me një regjim administrativ të përgjithshëm, të pabotuar në Fletoren Zyrtare dhe me efekte të jashtme.”
“Rezultati nuk krijon boshllëk sigurie, por rivendos kufirin midis sigurisë teknike dhe kufizimit të të drejtave që kërkon ligj.”
Për tejkalimin e kompetencave nga Këshilli i Gjykatës
“Autorizimi ligjor për të miratuar rregulla ruajtjeje dhe sigurie nuk përfshin kompetencën për të përcaktuar në mënyrë të përgjithshme kushtet thelbësore të publicitetit të procesit penal, të lirisë së shtypit, të autonomisë editoriale apo të masave ndaj subjekteve të jashtme.”
“Emërtimi ‘rregullore e brendshme’ nuk mund ta ndryshojë natyrën juridike që del nga përmbajtja.”
Për lirinë e medias dhe aksesin në seanca
“Bashkimi i tyre e kthen aksesin në seancën publike dhe mbledhjen e informacionit në një proces që varet nga një varg lejesh dhe kontrollesh administrative.”
“Gazetari pa akreditim ose pa kërkesë 24 orë më parë mund të humbasë një seancë publike; ekipi filmik mund të mbetet jashtë.”
“Refuzimi i aksesit, i regjistrimit ose i transmetimit e prodhon pasojën në momentin e zhvillimit të seancës.”
“Pas përfundimit të saj, shfuqizimi i mëvonshëm i normës nuk mund të rikthejë plotësisht mundësinë e ndjekjes dhe të raportimit në kohë reale.”
Për mungesën e botimit në Fletoren Zyrtare
“Rregullorja nuk është botuar në Fletoren Zyrtare, megjithëse synon të prodhojë pasoja për persona që nuk ndodhen në raport vartësie me gjykatën.”
“Ajo nuk mund të jetë njëkohësisht ‘e brendshme’ për t’iu shmangur botimit dhe kontrollit abstrakt, por ‘e jashtme’ kur përdoret për të refuzuar hyrjen, autorizimin, pajisjen, raportimin ose akreditimin e një personi të tretë.”
“Personat do të ekspozohen ndaj ndalimeve dhe pasojave të një akti që nuk ka marrë fuqinë juridike kushtetuese kundrejt tyre.”
Për kërkesën për pezullim
“Dëmet janë, për nga natyra, të pakthyeshme. Një seancë e humbur, dëshmi e padëgjuar drejtpërdrejt, reagim publik i paregjistruar nuk rikrijohen nga vendimi përfundimtar.”
“Sanksioni prodhon ndërkohë efekt frenues mbi të gjithë profesionin, jo vetëm mbi personin e proceduar.”
“Në njërën anë qëndron dëmi i menjëhershëm dhe i pakthyeshëm mbi të drejta themelore; në anën tjetër, Gjykata mund të vijojë të zbatojë Kodin e Procedurës Penale, kontrollin bazë të hyrjes dhe masat e sigurisë që nuk kundërshtohen”.
Top Channel