Mbi 1 milion leje qëndrimi për shqiptarët në BE në 18 vjet/ Gjermania kalon Greqinë, bëhet destinacioni i dytë për lejet e qëndrimit në 2025

14/09/2026 09:30

Emigracioni i shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Europian vijon me ritme të larta.

Sipas të dhënave të Eurostat, nga viti 2008 deri në vitin 2025 vendet e BE-së kanë dhënë gjithsej 1,082,224 leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë, ose rreth 1.1 milionë.

Në periudhën 2008-2016 u dhanë rreth 509.5 mijë leje. Shifrat më të larta u regjistruan në vitet 2008-2010, kur jepeshin rreth 70-100 mijë leje në vit. Kjo lidhet kryesisht me emigrantët që ishin larguar në vitet e mëparshme dhe që nisën të formalizonin qëndrimin, sidomos në Itali dhe Greqi.

Në këtë periudhë, Italia dhe Greqia dhanë së bashku rreth 90% të lejeve, përkatësisht 53% Italia dhe 37% Greqia.

Pas vitit 2012, numri i lejeve ra ndjeshëm, duke dhënë përshtypjen se emigracioni po ngadalësohej. Por pas vitit 2016, largimet nisën sërish të rriten.

Vetëm në periudhën 2017-2025 u dhanë rreth 573 mijë leje të tjera, më shumë se në nëntë vitet e mëparshme.

Në të njëjtën kohë, harta e emigracionit shqiptar është zgjeruar. Italia dhe Greqia mbeten vendet kryesore pritëse, por pesha e tyre ka rënë. Në vitet 2017-2025, ato dhanë së bashku 62% të lejeve, me Italinë në 41% dhe Greqinë në 21%.

Gjermania është bërë një destinacion gjithnjë e më i rëndësishëm, veçanërisht për punëtorët e kualifikuar. Në periudhën 2017-2025, ajo dha rreth 20% të lejeve.

Në total, që nga viti 2008, Gjermania ka dhënë rreth 124 mijë leje, duke u renditur e treta pas Italisë, me rreth 500 mijë, dhe Greqisë, me rreth 311 mijë.

Franca ka dhënë rreth 28 mijë leje qëndrimi për shqiptarët që nga viti 2008, Belgjika 14.3 mijë dhe Suedia rreth 13 mijë. Vendet e tjera kanë dhënë më pak se 10 mijë leje secili.

Për Mbretërinë e Bashkuar, të dhënat e disponueshme tregojnë rreth 20 mijë leje qëndrimi për periudhën 2008-2018. Pas kësaj periudhe, të dhënat nuk raportohen në të njëjtën mënyrë.

Britania ka qenë ndër destinacionet më të preferuara të shqiptarëve gjatë viteve të fundit. Në vitin 2022, kërkesat për azil nga shqiptarët në Britani kaluan 14 mijë.

Në vitin 2025 u dhanë 68,653 leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë, 4% më shumë se një vit më parë. Në vitin 2024, lejet kishin rënë me 14%.

Gjermania u rendit për herë të parë në vendin e dytë, me rreth 17 mijë leje, pas Italisë me 31.7 mijë dhe përpara Greqisë me rreth 10 mijë.

Më pas renditen Franca me 2.4 mijë leje dhe Belgjika me 1.3 mijë, ndërsa vendet e tjera dhanë më pak se 1 mijë leje secili.

Sipas Eurostat, në vitin 2025, 46.3% e lejeve u dhanë për arsye familjare, 29.4% për punësim dhe 0.8% për edukim.

Shifrat tregojnë se emigracioni mbetet një nga faktorët kryesorë që po ndikon në popullsinë dhe tregun e punës në Shqipëri.

Top Channel