“Më parë ndërtohet kapaciteti”, zëvendësministrja e Mbrojtjes: Shqipëria nuk duhet të blejë vetëm produkte ushtarake, por…

13/09/2026 15:00

Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Blerina Abrazhda, ka reaguar lidhur me zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në Shqipëri, duke theksuar se rezultatet nuk mund të maten vetëm me produktet që prodhohen në fazat e para të një projekti industrial.

“Industria e mbrojtjes nuk ndërtohet brenda natës. Para produktit ndërtohet kapaciteti”, shprehet Abrazhda, duke argumentuar se fillimisht duhet të ndërtohen infrastruktura, aftësitë njerëzore, teknologjia, proceset industriale dhe kapacitetet e integrimit.

Sipas saj, synimi është që investimet në sektorin e mbrojtjes të shërbejnë edhe për krijimin e kapaciteteve strategjike, teknologjike dhe ekonomike që mbeten në Shqipëri.

Abrazhda thekson se industria moderne e mbrojtjes funksionon përmes zinxhirëve industrialë dhe partneriteteve ndërkombëtare, ku kompani të ndryshme prodhojnë komponentë, nënsisteme apo ofrojnë teknologji dhe know-how, ndërsa integruesi bashkon këto kapacitete në një produkt përfundimtar.

Postimi i plotë:

Industria e mbrojtjes nuk ndërtohet brenda natës. Para produktit ndërtohet kapaciteti!
Nuk mund të kërkosh produktin sot, kur je ende duke ndërtuar kapacitetin që do ta bëjë të mundur nesër.
Kjo është arsyeja pse një projekt industrial në fazat e tij të para nuk mund të gjykohet vetëm me pyetjen:
“Çfarë ka prodhuar sot?”
Duhet të pyesim edhe:
“Çfarë kapaciteti po ndërton për nesër?”
Vizioni është më i madh se një produkt
Vizioni është të ndërtojmë, hap pas hapi, një gjeneratë të re kapacitetesh kombëtare: të sjellim teknologji dhe know-how, të zhvillojmë njerëzit dhe aftësitë tona, të modernizojmë infrastrukturën, të krijojmë procese industriale, të integrojmë kompani shqiptare në zinxhirë ndërkombëtarë dhe të jemi në gjendje të krijojmë gjithnjë e më shumë vlerë industriale në Shqipëri.
Është ta transformojmë një pjesë të shpenzimit të nevojshëm për mbrojtjen në kapacitet strategjik, teknologjik, njerëzor dhe ekonomik që mbetet në vend.
Këtu duhet kuptuar edhe dallimi mes asaj që thashë në intervistë dhe asaj që Ministri Ermal Nufi thotë.
Në intervistën time fola për atë që ekziston sot. Ministri po flet për vizionin, për projektet dhe kapacitetet që po ndërtohen për të ardhmen.
Këto nuk janë në kundërshtim!
Njëra është fotografia e sotme. Tjetra është rruga industriale drejt së nesërmes. Industria e mbrojtjes nuk funksionon si industria e mallrave të konsumit
Ky është një dallim shumë i rëndësishëm për të kuptuar të gjithë debatin.
Një produkt kompleks i mbrojtjes nuk është një produkt i zakonshëm konsumi, ku imagjinojmë një fabrikë, një linjë prodhimi dhe një produkt që prodhohet nga fillimi në fund në të njëjtin vend.
Industria moderne e mbrojtjes është industri sistemesh, zinxhirësh industrialë dhe integrimi.
Atëherë, a ka në botë prodhues të mbrojtjes apo integratorë?
Ka të dyja. Dhe pikërisht ky është thelbi.
Ekzistojnë prodhues komponentësh, prodhues nënsistemesh, kompani teknologjike, furnitorë të specializuar dhe kompani që marrin rolin e prime contractor ose system integrator.
Edhe NATO e përshkruan bazën industriale të mbrojtjes në këtë mënyrë: nga prime contractors te kompanitë e mesme e të vogla, start-ups dhe prodhuesit e nënsistemeve dhe komponentëve përgjatë zinxhirëve të furnizimit.
Një kompani prodhon një komponent. Një tjetër një nënsistem. Një tjetër sjell teknologjinë apo know-how. Të tjera ofrojnë software, elektronikë, materiale apo shërbime inxhinierike.
Në fund, të gjitha këto duhet të funksionojnë së bashku si një sistem i vetëm.
Dhe këtu qëndron roli i integratorit.
Vlera e integratorit nuk është domosdoshmërisht të prodhojë vetë çdo pjesë. Vlera është aftësia për të bashkuar teknologjitë, komponentët dhe nënsistemet e ndryshme në një kapacitet përfundimtar të integruar, të testuar dhe të standardizuar.
Përdoruesi ushtarak nuk kërkon një koleksion komponentësh të shkëputur. Kërkon një kapacitet të integruar që përmbush kërkesën e përcaktuar operacionale sepse kapaciteti operacional nuk krijohet nga komponentë të shkëputur. Krijohet nga sisteme që funksionojnë së bashku.
Prandaj, kur flasim për “prodhim” në këtë industri, pyetja nuk mund të jetë vetëm:
“Sa pjesë prodhojmë vetë?”
Duhet të jetë edhe:
“Sa aftësi kemi për të integruar, mirëmbajtur dhe mbështetur një kapacitet dhe sa nga kjo vlerë mbetet në Shqipëri?”
Industria moderne nuk funksionon është izolim. Është specializim, partneritet dhe integrim.
Shqipëria ka pasur industri. Por modeli ka ndryshuar. Ato kapacitete u krijuan në një sistem ekonomik, teknologjik dhe strategjik krejt tjetër.
Në një ekonomi të centralizuar, shteti mund të zotëronte fabrikën, të përcaktonte prodhimin, ta financonte dhe të kontrollonte pothuajse të gjithë zinxhirin. Sot Shqipëria është ekonomi tregu dhe vend anëtar i NATO-s. Teknologjia ka ndryshuar. Standardet kanë ndryshuar. Zinxhirët industrialë janë ndërkombëtarë.
Prandaj nuk po rindërtojmë industrinë e së kaluarës. Po transformojmë bazën që kemi dhe po ndërtojmë industrinë që i duhet Shqipërisë së dekadave të ardhshme.
Dhe pikërisht për këtë duhen partnerët
Shteti ka dhe duhet të ketë një rol të fortë në një sektor strategjik. Ai përcakton interesin kombëtar, nevojat, standardet dhe rregullat.
Por teknologjia, pronësia intelektuale dhe know-how nuk krijohen me dekret qeverie!
Nëse një vend nuk zotëron sot një teknologji apo aftësi industriale, mund të investojë kohë, njerëz dhe kapital për ta zhvilluar, ose mund të bashkëpunojë me industri që e kanë zhvilluar tashmë. Për një vend të përmasave të Shqipërisë nuk ka kuptim ekonomik të pretendojmë se duhet të zhvillojmë nga zero çdo teknologji dhe çdo komponent.
Partneri i huaj nuk vjen për të zëvendësuar kapacitetin shqiptar. Ai sjell teknologji, eksperiencë, know-how, procese, standarde dhe akses në zinxhirë industrialë më të mëdhenj.
Nëse Shqipëria duhet gjithsesi të investojë për kapacitetet e saj, pyetja nuk duhet të jetë vetëm:
“Çfarë po blejmë?”
Por:
“Çfarë mbetet në Shqipëri?”
A trajnohen njerëzit tanë?
A fitojmë know-how?
A modernizohet infrastruktura?
A krijohen procese industriale?
A zhvillohen aftësi integrimi, mirëmbajtjeje dhe mbështetjeje?
A hyjnë kompani shqiptare në zinxhirë ndërkombëtarë?
A krijohen vende pune dhe aktivitet ekonomik?
Kjo është vlera e shtuar në vend.
Dhe kjo logjikë nuk është një shpikje shqiptare. Në industrinë ndërkombëtare të mbrojtjes ajo zbatohet prej dekadash përmes formave të ndryshme të offset-it dhe industrial participation.
Sipas Departamentit Amerikan të Tregtisë, mbi 80 vende kanë kërkesa për offset.
Format ndryshojnë nga një vend te tjetri. Ato mund të përfshijnë investime, joint ventures, përmbajtje lokale dhe forma të tjera të pjesëmarrjes industriale. Por parimi ekonomik është i njëjtë:
Nëse duhet gjithsesi të investosh, syno që sa më shumë nga ai investim të ndërtojë edhe kapacitet në vend.Nëse blejmë vetëm produktin përfundimtar, kemi realizuar një transaksion.
Nëse i njëjti investim na lë edhe njerëzit, dijen, infrastrukturën dhe kapacitetin industrial, kemi ndërtuar diçka që vazhdon të ketë vlerë edhe pas përfundimit të blerjes. Një kapacitet kompleks nuk blihet një ditë dhe harrohet. Ai kërkon mbështetje, mirëmbajtje dhe zhvillim gjatë viteve.
Sa më shumë nga kjo aftësi të ndërtojmë në Shqipëri, aq më shumë vlerë, dije dhe kapacitet mbetet këtu.
Fincantieri është shembulli më i thjeshtë
Marrim Pashalimanin.
Shqipëria mund të kishte zgjedhur modelin më të thjeshtë: porosit jashtë, produkti ndërtohet jashtë, paguan dhe e merr.
Nevoja plotësohet.
Por në këtë model, një pjesë shumë e madhe e mundësisë për të krijuar vlerë industriale, dije dhe kapacitet mbetet jashtë Shqipërisë.
Modeli me Fincantieri nis nga një pyetje tjetër:
Nëse Shqipëria duhet gjithsesi të investojë për kapacitetet e saj detare, pse të mos përdoret ky investim edhe për të ndërtuar kapacitet industrial në Shqipëri?
Fincantieri Albania është investimi më i madh industrual në 36 vitet e demokracisë (51% Fincantieri dhe 49% KAYO) dhe partneriteti është ngritur për zhvillimin e kapaciteteve të ndërtimit dhe mirëmbajtjes detare në Shqipëri, modernizimin e Pashalimanit dhe krijimin e mundësive edhe në tregjet ndërkombëtare.
Dhe këtu kemi një shembull konkret të asaj që shpjegova më lart për integrimin.
Në tregun shqiptar, Fincantieri Albania do të veprojë si prime contractor, me përgjegjësi për ekzekutimin dhe menaxhimin e furnizimit. Produktin, Patentën, Dijen Operacionale, Klientët e huaj dhe Kredibilitetin i sjell të gjitha Fincantieri, jo KAYO!
Por duhet kuptuar rendi i gjërave.
Nuk mund të kërkosh sot produktin përfundimtar nga një kantier që ende po modernizohet për të krijuar kapacitetin që do ta bëjë atë të mundur.
Kjo nuk është dështim;Është rendi normal i zhvillimit industrial.
Së pari duhet infrastruktura.
Duhen njerëzit.
Duhet trajnimi.
Duhet teknologjia dhe know-how.
Duhen proceset dhe standardet.
Duhet integrimi me zinxhirin industrial të partnerit.
Pastaj vjen produkti.
Dhe pikërisht këtu kuptohet pse duhet një partner si Fincantieri.
Shqipëria zotëron sot të gjithë teknologjinë, eksperiencën, proceset dhe rrjetin industrial që pikërisht po përpiqet të ndërtojë.
Partneriteti ekziston për të shkurtuar atë distancë.
Kjo shoqërohet edhe me zhvillimin e aftësive profesionale lokale: bashkëpunimi mes Fincantieri, KAYO dhe Institutit Profesional “Pavarësia” në Vlorë parashikon trajnim, praktika dhe zhvillim kompetencash për kapacitetin e ardhshëm industrial të Pashalimanit.
Dhe modeli nuk synon vetëm nevojat shqiptare.
Synimi është që Pashalimani të lidhet edhe me rrjetin ndërkombëtar të partnerit dhe të prodhojë për tregjet ndërkombëtare të mund të krijojë vlerë në Shqipëri.
Kjo është shumë më tepër sesa blerja e një produkti. Është ndërtimi i një aftësie.
Dhe prandaj, kur dikush pyet:
“Ku është produkti?”
përgjigjja duhet të fillojë me një pyetje më themelore:
“A kemi ndërtuar kapacitetin që duhet ta bëjë atë të mundur?”
Sepse nuk ndërton dot produktin përpara se të kesh njerëzit, dijen, teknologjinë, proceset dhe infrastrukturën që duhen për ta realizuar.
Dhe nuk është e nevojshme që çdo pjesë e tij të prodhohet në Shqipëri që Shqipëria të ketë industri.
Industria moderne është një zinxhir. Vlera jonë është sa aftësi ndërtojmë brenda atij zinxhiri dhe sa prej saj mbetet në Shqipëri.
Ky është vizioni:
Të blesh një produkt është një transaksion.
Të ndërtosh njerëzit, dijen, infrastrukturën, integrimin dhe aftësinë për ta mbështetur është industri.
Dhe, vit pas viti, objektivi duhet të jetë i qartë:
Të dimë të bëjmë më shumë këtu.
Të integrojmë më shumë këtu.
Të mirëmbajmë më shumë këtu.
Të trajnojmë më shumë njerëz këtu.
Të krijojmë më shumë vlerë në Shqipëri.
Industria e mbrojtjes nuk ndërtohet brenda natës. Para produktit ndërtohet kapaciteti.

Top Channel