Futet në librat e historisë, ndeshja e Champions League që theu çdo rekord të mëparshëm diversiteti
Mikel Arteta ka zbuluar një prapaskenë të pabesueshme, duke pranuar se ka sabotuar qëllimisht përgatitjet e Arsenalit gjatë fazës përgatitore.
Për t’i mësuar lojtarët e tij me të papriturat e sezonit, tekniku spanjoll ka shkaktuar vonesa në transport, ka ndërhyrë në oraret e vakteve dhe ka rritur temperaturën në dhomat e zhveshjes.
Trajneri i Arsenalit njihet për metodat e tij alternative për të testuar skuadrën, dhe qasja e kësaj vere synonte të siguronte që “Topçinjtë” të ishin të aftë “të përshtateshin në kontekste të ndryshme”. Një situatë e tillë reale ndodhi në fillim të kësaj jave, kur Arsenali u përball me vonesa të theksuara fluturimi para transfertës në Itali kundër Napolit në Champions League. Arteta u shpreh se ai i “dashuron” këto lloj sfidash.
“Përpiqem t’i krijoj këto situata që në fazën përgatitore,” tha ai. “Në këtë mënyrë, kur ato ndodhin vërtet, ne i kemi përjetuar dhe e dimë si të veprojmë. Të mbërrijmë me vonesë në stadium ose të ndryshojmë rutinën sapo lojtarët bëhen gati. Sepse kur ndodh – dhe mund të ndodhë që të humbasësh fluturimin, treni të vonohet apo të ketë shumë trafik – nuk dua që lojtarët dhe stafi të kapen nga paniku. Në këto raste duhet thjesht të përshtatemi dhe të mos ankohemi, sepse justifikimet nuk ndihmojnë.”
I pyetur specifikisht se çfarë bëri në fazën përgatitore për të simuluar këto sfida, Arteta zbuloi: “Vonova vaktet e ushqimit, vonova transportin, zgjodha rrugë të ndryshme. Bëmë shumë gjëra: e bëmë dhomën e zhveshjes shumë më të nxehtë, më të pakëndshme dhe hoqëm disa nga shtretërit e masazhit.” Metodat e pazakonta kanë qenë një temë e vazhdueshme e Artetës, duke kujtuar këtu rastin kur vendosi në boks topin e himnit të Liverpoolit “You’ll Never Walk Alone” gjatë stërvitjes, apo përdorimin e muzikës së lartë në nxehje.
Përgjigja ndaj Gabriel Jesus
Ndërkohë, tekniku spanjoll u shpreh i befasuar nga ankesat e Gabriel Jesus mbi trajtimin e tij në javët e fundit te Arsenali, përpara transferimit te Barcelona. Braziliani pretendoi se “askush nuk i kishte thënë asgjë” dhe u ankua se ishte lënë të stërvitej i veçuar nga ekipi i parë.
“Të them të drejtën, jam shumë i befasuar,” u përgjigj Arteta. “Sidomos sepse me Gabi-n pata një bisedë kokë më kokë në dhomat e zhveshjes. Nuk e di çfarë fjalësh ka përdorur, por fjalët që ndamë me njëri-tjetrin aty ishin vetëm mirënjohje. Gjithsesi, është në rregull. Ndonjëherë kur duhet të japësh lajme të këqija ose që njerëzit nuk i presin, është normale të ketë reagime të tilla. Dikush duhet të bëjë ‘policin e keq’, dhe nëse më duhet ta bëj unë, e pranoj dhe e mirëkuptoj.”
Arteta mori si shembull Leandro Trossard, i cili u largua drejt Besiktas këtë verë por u rikthye për të ndjekur ndeshjen kundër Chelsea-t, si një dëshmi që marrëdhëniet mbeten të forta. “Ajo që ka rëndësi është se çfarë ndodh tre apo gjashtë muaj më vonë. Kur Trossard vjen dhe ulet me ne në dhomat e zhveshjes, tregon atmosferën dhe marrëdhënien që kemi. Falë Zotit, deri tani me të gjithë ish-futbollistët që janë larguar marrëdhënia ka qenë shumë e mirë,” përfundoi Arteta.
Top Channel