U plagos sot në Athinë, identifikohet shqiptari. Zbulohen dyshimet e policisë për motivin
Një 55-vjeçar shqiptar i identifikuar si Eduart Mullaj ka mbetur i plagosur nga të shtënat me armë zjarri në orët e para të mëngjesit të së hënës në zonën e Patisias, në Athinë. Autorët, ende të paidentifikuar, janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të sulmit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 04:55, në kryqëzimin e rrugëve Vrutou dhe Themu Anninou. Sipas informacioneve paraprake, disa persona iu afruan 55-vjeçarit dhe pas një përplasjeje verbale e qëlluan me armë. Burri u plagos në gjymtyrët e poshtme dhe u transportua me ambulancë të EKAB-it në spitalin “Georgios Gennimatas”, ku mori ndihmën mjekësore.
Dëshmitarët: “Dëgjuam zëra dhe më pas tre të shtëna”
Një banor i zonës ka treguar për mediat lokale se pak para të shtënave kishte dëgjuar një grup të rinjsh që flisnin me zë të lartë dhe po debatonin.
“Dëgjuam një grup prej katër ose pesë të rinjsh. Grindeshin, debatonin dhe flisnin me zë të lartë. Më pas dëgjuam një të shtënë. Rreth dhjetë sekonda më vonë u dëgjua e dyta dhe pas rreth 30 sekondash një tjetër”, ka rrëfyer banori.
Megjithatë, dëshmitari ka theksuar se nuk mund të konfirmohet nëse të rinjtë kishin lidhje me sulmin, pasi mund të kenë qenë thjesht duke kaluar rastësisht në atë zonë. Sipas dëshmisë, policinë e ka njoftuar vajza e 55-vjeçarit.
Policia gjeti tre gëzhoja dhe një plumb
Pas mbërritjes në vendngjarje, forcat e policisë kryen këqyrjen e zonës dhe mblodhën prova materiale. Në rrugë u gjetën tre gëzhoja dhe një plumb, të cilat janë marrë për ekzaminim laboratorik. Sipas informacioneve të deritanishme, banesa e 55-vjeçarit ndodhet në rrugën Themu Anninou dhe dyshohet se përplasja ka nisur pranë saj.
Gjurmë gjaku janë konstatuar rreth 10 metra larg banesës së tij, ndërsa distanca nga vendi ku dyshohet se ndodhi sulmi deri te zona ku u gjetën gjurmët e gjakut është rreth 20 metra.
Hetohet edhe mundësia e një tentative për vjedhjen e motorit
Një nga pistat që po shqyrtojnë autoritetet është mundësia që përpara të shtënave të ketë ndodhur një tentativë për vjedhjen e motorit të 55-vjeçarit. Policia po verifikon nëse motori i marrë nga shërbimi kriminalistik për ekzaminime laboratorike i përkiste viktimës.
Një nga skenarët që po hetohet është se 55-vjeçari mund t’i ketë parë autorët në momentin kur po tentonin të vidhnin motorin. Ai mund të ketë dalë për t’i ndaluar dhe, në atë moment, situata të ketë eskaluar duke përfunduar me të shtëna.
Për momentin, kjo mbetet vetëm një nga pistat e hetimit dhe autoritetet po mbledhin prova për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur realisht.
Një tjetër incident me armë dy javë më parë
Banorët e zonës kanë treguar gjithashtu se ngjarja e së hënës nuk është incidenti i parë me armë zjarri në atë zonë. Sipas dëshmive, rreth 15 ditë më parë janë dëgjuar sërish të shtëna.
Në atë rast nuk pati persona të plagosur, por plumbat goditën automjete të parkuara në zonë. Fakti që një tjetër incident me armë ka ndodhur vetëm pak javë më parë po merret gjithashtu në konsideratë nga autoritetet gjatë hetimeve.
Pamjet tregojnë viktimën të shtrirë në rrugë
Në një video të siguruar pas ngjarjes, 55-vjeçari shihet i shtrirë në rrugë vetëm pak sekonda pas sulmit me armë. Ndërkohë, autorët janë larguar nga vendi dhe po kërkohen nga policia greke.
Një tjetër dëshmitar okular ka deklaruar se ka parë momentin e të shtënave. “Pashë të shtënat. Qëllonin drejt tokës dhe ka mundësi që një plumb të jetë rikoshetuar. Pashë dy persona me helmeta që u larguan në këmbë nga vendi. Më pas pashë viktimën të shtrirë në tokë, të mbuluar me gjak”, ka rrëfyer ai.
Bashkia pastroi vendin e ngjarjes
Pasi autoritetet përfunduan mbledhjen e provave dhe materialeve që nevojiteshin për hetimin, në vendngjarje mbërriti një ekip i Bashkisë së Athinës. Punonjësit pastruan rrugën nga gjurmët e gjakut, ndërsa policia vijon hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.
Hetuesit po analizojnë dëshmitë e banorëve, pamjet e mundshme nga kamerat e sigurisë, provat balistike dhe çdo të dhënë tjetër që mund të ndihmojë në zbardhjen e konfliktit. Deri tani, motivi i saktë i sulmit dhe identiteti i autorëve nuk janë bërë të ditur.
Top Channel