Me përfundimin e ndeshjeve të javës së tretë në Abissnet Superiore, Drejtoria Teknike në Federatën Shqiptare të Futbollit ka përcaktuar formacionin ideal dhe ka zgjedhur edhe trajnerin më të mirë.

Për këtë javë, formacioni është krijuar në bazë të skemës 4-2-3-1 ku skuadra që dominon është Egnatia, skuadra kampione në fuqi e vendit me 3 lojtarë, ndërsa Partizani, Teuta, Dinamo dhe Tirana kanë nga 2 futbollistë. Kështu, në portë është përzgjedhur Mario Dajsinani, që kontribuoi në fitoren e Egnatias ndaj Skënderbeut, duke ndihmuar skuadrën rrogozhinase të ruajë ecurinë perfekte me tri fitore në tri javët e para.

Katërshja e mbrojtjes përbëhet nga Andrey Yago (Egnatia), Dion Vata (Partizani) edhe pse ky i fundit shënoi autogol në sfidën me Vllazninë, Vasil Zhongo (Teuta) dhe Usni Ismaili (Dinamo). Në mesfushë janë përzgjedhur Sherif Kallaku (Teuta) dhe Malomo Ayodeji (Dinamo), ndërsa treshja pas sulmuesit përbëhet nga David Fadairo (Partizani), Alessandro Albanese (Egnatia) dhe Drilon Hazrollaj (Tirana).

Në majën e sulmit është Tomislav Kis (Tirana), i cili ishte një prej protagonistëve të fitores 4-0 të bardhebluve ndaj Vorës, sukses që i dha Tiranës tri pikët e para të sezonit.

Trajneri më i mirë i javës së tretë është përzgjedhur Florin Bratu i Partizanit. Tekniku rumun udhëhoqi të kuqtë drejt një fitoreje shumë të rëndësishme në transfertë ndaj Vllaznisë, me Partizanin që triumfoi 3-2 në “Loro Boriçi” dhe regjistroi tri pikët e para në sezonin e ri.

Top Channel