Tensione pas sfidës me Romës e Atalantës, ‘fluturojnë’ fjalët e ashpra mes drejtuesve të të dy klubeve

06/09/2026 13:59

Në sfidën mes Romës dhe Atalantës e fituar nga verdhekuqtë me përmbysje 2-1 nuk kanë munguar tensionet në fushën e lojës. Por këto tensione vijuan edhe pas përfundimit të saj, pikërisht në zonën e autobusëve të skuadrave.

Dëshmitarë të ndryshëm ishin të pranishëm në një zënkë mes Shefit Ekzekutiv të Atalantës Luca Percassi dhe Drejtorit Sportiv të Romës e njëkohësisht zv/president i Lega Serie A, Tony D’Amico me këtë të fundit që deri sezonin e kaluar mbulonte këtë rol pikërisht te klubi bergamask.

Mësohet se mes tyre kanë ‘fluturuar’ fjalët e ashpra sidomos nga ana e Percassi, ndërsa D’Amico që nuk iu besonte dot veshëve u drejtua drejt daljes pa kthyer përgjigje, por që u ndoq nga drejtuesi i klubit bergamask deri te parkingjet pranë tribunës ‘Monte Mario’, aq sa u desh ndërhyrja e punonjësve të sigurisë  për të qetësuar të gjithë.

Me shumë mundësi baza e krijimit të këtij episodi është dhe raporti mes tyre që nuk u ngroh kurrë duke qenë se largimi i D’Amico nga Atalanta u bë në mënyrë të trazuar; jo me kot klubi bergamask bllokoi për një kohë të gjatë kalimin e tij te Roma edhe pse e kishte zgjedhur Giuntolin për ta zëvendësuar.

Top Channel