PSG, starti më i dobët në Ligue 1 në 19 vjet, Luis Enrique: Bëmë gjëra pozitive

05/09/2026 16:43

Nëse Lille po mahnit nën shenjën e Davide Ancelottit, Paris Saint Germain po befason…në aspektin e kundërt. Klubi parizien pasi triumfoi në Superkupën Evropiane pasi mposhti Aston Villën, dështoi në Superkupën e Francës ndaj Lens e për më tepër në kampionat në 3 ndeshje ka grumbulluar vetëm 2 pikë.

Bilanci i kampionëve të Francës dhe Evropës në këto 3 javë të para të Ligue 1 flet qartë; 2 barazime dhe një humbje, e fundit këtë të premte në shtëpi kundër Monacos. Një fillim shokues i sezonit për Paris Saint Germain që nuk i ndodhte që nga sezoni 2007-2008. Kanë kaluar plot 19 vjet dhe atë vit, parizienët e mbyllën kampionatin në vendin e 16, vetëm 3 pikë më shumë se skuadra e vendit të fundit.

Por kjo situatë nuk e shqetëson trajnerin Luis Enrique që e sheh gotën gjysmë plot pas humbjes me Monaco.

‘Jam i kënaqur me atë që pashë-tha Luis Enrique-bëmë shumë gjëra pozitive. Me siguri nuk ishim në formën tonë më të mirë. Për mua është e qartë se do ta kishim merituar fitoren, ndonjëherë futbolli është i pashpjegueshëm. Dia të nënvizoj mentalitetin e futbollistëve. Do të jetë një kampionat emocionues. Duhet të përgatitemi për të ardhmen’

Më pas në konferencën për shtyp trajneri asturian shtoi: ‘Nëse doni të vini bast për skuadrën që do të jetë kampione e Francës në fund të sezonit, mund ta bëni…unë nuk them asgjë’. Me fjalë të tjera Luis Enrique ka shumë siguri, do të jetë fusha ajo që do të flasë.

Top Channel