Debati për pagat e magjistratëve, ministri Gogu: Zgjidhja është në Kuvendin e Shqipërisë dhe jo përplasja mes institucioneve

05/09/2026 11:22

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, në një deklaratë për mediat këtë të shtunë, tha se, sa i përket pagave të magjistratëve, ka një vakum ligjor, por se do të zgjidhet të martën në seancën e parë plenare të këtij sesioni të ri.

Gogu sqaroi se problemi i krijuar nuk lidhet me një debat se kush kërkon më shumë apo kush jep më pak, por me mungesën e bazës ligjore për formulën e pagës së magjistratëve pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Duhet ta themi troç: kemi arritur këtu sepse na mungon baza ligjore për formulën e pagës së magjistratëve, të cilën Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi. Ky boshllëk duhet të plotësohet atje ku e ka vendin: në Kuvend, me ligj”, deklaroi ministri.

Ai bëri të ditur se çështja pritet të adresohet me nisjen e sesionit të ri parlamentar, duke e cilësuar plotësimin e boshllëkut ligjor si rrugën për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes.

“Zgjidhja nuk është që institucionet të përplasen me njëra-tjetrën. Zgjidhja është në Kuvendin e Shqipërisë. Detyra ime është që kjo të bëhet shpejt dhe sa më mirë, në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe me përgjegjshmëri të plotë ndaj buxhetit të shtetit”, tha Gogu.

I pyetur nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, nëse ka një koment mbi udhëzimin e publikuar nga GJKKO-ja, ku thuhet shprehimisht se mosveprimi i Kuvendit brenda 31 korrikut 2026 nuk mund të prodhojë efekt pezullues mbi zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Gogu iu përgjigj duke thënë se “nëse vendimi i GJK-së, pas skadimit të afatit ligjor, do të kishte caktuar formulën ligjore, ministri do ta kishte zbatuar pa ekuivok”.

Por çfarë do të ndodhë me gjyqtarët, prokurorët dhe administratën derisa të bëhet ndërhyrja në Kuvend?

“Pagat kanë nevojë për autorizim ligjor dhe formulë ligjore. Këto kanë qenë përpjekjet e qeverisë, që të mos vonojë asnjë ditë paga”, u shpreh ministri i Drejtësisë.

Top Channel