Meloni, “qeveria më jetë gjatë e Italisë”: Besimi i qytetarëve nuk është çek i bardhë

04/09/2026 10:16

Georgia Meloni feston rekordin e qeverisë së saj, më jetëgjata në historinë e Italisë siç shkruan në rrjetet sociale vetë shefja e ekzekutivit të vendit fqinj.

E gjithë kjo sipas Melonit është meritë e një koalicioni të bashkuar, por edhe e një qasjeje mjaft të kujdesshmen në raport me publikun.

“Ne kurrë nuk e kemi konsideruar besimin e qytetarëve një çek të bardhë”, thotë kryeministrja italiane.

“Është një fakt të cilin e mirëpres me mirënjohje dhe me një ndjenjë të fortë përgjegjësie. Sepse stabiliteti nuk është një rekord për t’u ekspozuar, por kushti që i mundëson një kombi të planifikojë, të marrë vendime, të mbajë angazhimet dhe të respektohet”, thuhet në mesazh.

“Gjatë këtyre viteve kemi punuar për të rritur punësimin, për të ulur papunësinë, për të mbështetur familjet dhe bizneset, për të forcuar sigurinë, për të menaxhuar me seriozitet financat publike dhe për t’i rikthyer Italisë peshën dhe besueshmërinë në skenën ndërkombëtare.

Rezultatet janë aty, por e dimë shumë mirë se sa gjëra mbeten ende për t’u bërë”, thekson Meloni, që me tone të theksuara modestie, i mëshon idesë se ky stabilitet nuk është meritë e një personi të vetëm, por rezultat i punës së një koalicioni “ i cili qeveris prej katër vitesh me një vizion të përbashkët dhe që ka zgjedhur të qëndrojë së bashku jo kundër dikujt, por për të realizuar një projekt për Italinë”.

Vitin e ardhshëm do të rikthehemi përpara qytetarëve me atë që kemi bërë, me atë që mbetet për t’u bërë dhe me idenë tonë për të ardhmen.

Dhe përsëri do të jenë ata që do të vendosin nëse e meritojmë të vazhdojmë këtë rrugëtim, vijon mesazhi, që përmbyllet me thirrjen: “Përpara, me këmbë në tokë dhe me sytë nga e ardhmja”.

Top Channel