Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka cilësuar krizën e emigracionit në enklavën spanjolle të Ceutës si “më të keqe” se një pushtim ushtarak, duke i bërë thirrje NATO-s që “të veprojë”.

“Unë mendoj se NATO-ja duhet të lëvizë shumë shpejt. Kur shikon një situatë si ajo në Spanjë, në një farë mënyre bëhet fjalë për një pushtim të një vendi… në shumë aspekte, është më keq se një pushtim i zakonshëm ushtarak”, deklaroi Trump në një intervistë për GB News.

Në fund të korrikut, Ceuta u përball me një fluks masiv emigrantësh nga Maroku fqinj. Sipas të dhënave të ministrit spanjoll të Brendshëm, rreth 72 mijë emigrantë hynë në territorin spanjoll në brigjet e Afrikës së Veriut.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, deklaroi se autoritetet vazhdojnë të hetojnë rrethanat që çuan në këtë fluks masiv emigrantësh, përfshirë edhe mundësinë e përfshirjes së autoriteteve marokene. Trump e përdori krizën për të fshikulluar Spanjën e cila nuk e mbështeti luftën e tij kundër Iranit.

“Spanja do të jetë një vend i rrënuar. Kam pasur problemet e mia me të, sepse Spanja nuk sillet shumë mirë për sa i përket NATO-s. Nuk paguan atë që duhet të paguajë”, deklaroi Trump për televizionin britanik. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se “ajo që po ndodh atje është shumë e trishtueshme”.

“Nuk kam parë kurrë diçka të tillë”, ishte komenti i tij. Kjo nuk është hera e parë që Trump ndërhyn publikisht lidhur me krizën në Ceuta.

Pas fluksit masiv të emigrantëve në fund të korrikut, ai pati fajësuar për këtë situatë “legjislacionin” dhe “keqmenaxhimin” e qeverisë së Pedro Sánchez, duke deklaruar se autoritetet spanjolle “nuk dinin çfarë të bënin”.

Top Channel