Tragjedi në Irlandë, treni përplas makinën në vendkalim/ Humb jetën 12-vjeçari, babai i tij dërgohet në spital

04/09/2026 10:43

Një 12-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht pasi makina me të cilën udhëtonte u përplas nga një tren në një vendkalim hekurudhor në County Mayo, në Irlandë.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20:45 të së enjtes, në zonën e Kiltybo, pranë Ballyhaunis, ku policia irlandeze dhe shërbimet e emergjencës u njoftuan për një aksident mes një treni dhe një automjeti.

12-vjeçari ishte pasagjer në makinë dhe u shpall i vdekur në vendngjarje, pavarësisht ndërhyrjes së shërbimeve të emergjencës, shkruan BBC.

Drejtuesi i automjetit, një burrë rreth të 40-ave, u transportua me ambulancë në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas autoriteteve, plagët e tij nuk janë të rrezikshme për jetën.

Ndërkohë, të gjithë pasagjerët që ndodheshin në tren zbritën të sigurt dhe nuk raportohet për persona të tjerë të lënduar.

Në vendngjarje pritet të kryhet një ekspertizë teknike nga hetuesit e specializuar për aksidentet rrugore. Rruga në zonë vijon të jetë e mbyllur për qarkullimin.

Për rastin është njoftuar edhe Kroneri, ndërsa trupi i 12-vjeçarit është dërguar në morgun e Spitalit Universitar të Mayo-s. Autoritetet pritet të organizojnë edhe autopsinë për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes.

Top Channel