Nga Roma te Topi i Artë, Luis Enrique nuk kursehet, “thumbon” edhe Mourinhon

03/09/2026 15:18

Luis Enrique rikthehet të përballet me Italinë, këtë herë në Champions League, ku Paris Saint-Germain do të sfidojë edhe Romën e drejtuar nga Gian Piero Gasperini.

Trajneri spanjoll e ka ende të freskët eksperiencën e tij në kryeqytetin italian dhe vlerëson maksimalisht transformimin e verdhekuqve.

“Kam filluar sërish të mësoj italisht”, tha me humor Luis Enrique, duke iu referuar shortit të Champions League. “Roma mbetet për mua një kujtim i bukur. Është për të ardhur keq që nuk do të luajmë në Olimpico, por gjithsesi do të jetë një ndeshje shumë e bukur. Roma është përmirësuar shumë me Gasperinin dhe falë merkatos. Sot është një skuadër e fortë”. Në rrugëtimin e PSG-së do të jetë edhe Como e Cesc Fabregas, një tjetër ish-lojtar i Barcelonës, për të cilin Luis Enrique ka vetëm fjalë të mira.

“Cesc po tregon vlerat e tij edhe si trajner dhe po bën një punë të jashtëzakonshme me Comon. Ka të drejtë kur thotë se loja e pozicionit nuk ekziston më si më parë dhe se futbolli po ndryshon, me më shumë markime individuale. Çdo trajner punon në varësi të lojtarëve që ka në dispozicion”. Luis Enrique thekson se edhe suksesi në Champions nuk të jep garanci për të ardhmen. “Edhe nëse ke fituar Champions League, nuk ke asnjë siguri. E rëndësishme është të ruash lëvizshmërinë e lojës dhe paparashikueshmërinë për kundërshtarin. Duhet të inovosh dhe të gjesh zgjidhje të reja. Kjo është diçka që më apasionon dhe ne kemi mjetet për ta bërë”.

Merkato

PSG-ja përballet nesër me Monacon dhe kërkon fitoren e parë në kampionat, pas dy barazimeve radhazi. Luis Enrique foli edhe për ndryshimet në sulm, pas largimeve të Barcolës, Ramos dhe Lee. “Barcola u largua sepse kërkonte garanci për minutat që do të luante dhe këtë nuk mund t’ia premtoj askujt. Ishte zgjidhja më e mirë edhe për të, sepse mbetet një lojtar special, brenda dhe jashtë fushës. Jam shumë i kënaqur me merkaton. Kemi marrë Akliouche, Torres dhe Godts, të cilët na japin alternativa të tjera. Tani duhet të shohim se si dhe kur do të përshtaten me lojën tonë”.

Po Topi i Artë?

Në fund, Luis Enrique iu përgjigj edhe deklaratave të José Mourinhos, i cili ka mbështetur Kylian Mbappén për fitimin e “Topit të Artë”. “Mund të jem gabim, por për mua ‘Topi i Artë’ duhet t’i shkojë një lojtari të PSG-së, pasi ne kemi fituar Champions League. Kemi lojtarë si Dembélé, i cili e fitoi edhe vitin e kaluar, ose Ruiz, që ka fituar edhe Kupën e Botës. Por nuk është një çështje që më intereson shumë, sepse futbolli është një sport kolektiv”.

 

Top Channel