Kombëtarja argjentinase e futbollit po hyn në një terren të panjohur. Tërheqja e Lionel Messit shënon një vijë para dhe pas te skuadra Albiceleste. Skuadra 3 herë kampione e botës do të duhet të përballet me sfidat e ardhshme pa kapitenin e saj. Në këto momente dyshimesh çdo kush do të duhet të ketë siguri në çdo hap të tyre.

Trajneri Lionel Scaloni shndërrohet në qendrën e një projekti që kërkon që Argjentina të vazhdojë të jetë në elitën e futbollit ndërkombëtar. Copa America 2028 është objektivi i radhës në kalendar dhe në Argjentinë po ekziston frika se trajneri mund të largohet përpara kohe.

‘Do të qëndroj deri në dhjetor. Pastaj do të flas me presidentin. Ideja është të ndalem dhe të pushoj pak’-kishte deklaruar Scaloni në konferencën për shtyp menjëherë pas finales së Botërorit. Drama ishte totale. Ditë më pas, ambienti u qetësua pas informacioneve që flisnin për qëndrimin e Scalonit dhe stafit të tij deri në edicionin e ardhshëm të Copa America. Të paktën kjo është ideja.

Në realitet, frika për largimin e mundshëm të Scalonit lind që nga momenti kur Lionel Messi deklaroi tërheqjen nga kombëtarja argjentinase. Mungesa e liderëve në ekip, tremb, por nuk duhet të vërë në dyshim në asnjë moment kualitetet e një skuadre që ka në radhët e saj kampionë  të kalibrit të Julián Alvarez, Lautaro Martínez, Cuti Romero dhe Emiliano Martínez që janë gati për të marrë përsipër përgjegjësi më të mëdha dhe mes këtyre përgjegjësive është edhe shiriti i kapitenit që mund të shkojë në krahun e qendërmbrojtësit të Atletico Madrid.

Me kontratën që skadon në muajin dhjetor, Scaloni në 6 shtator do të bëjë publike listën e futbollistëve të grumbulluar për ndeshjet e radhës miqësore, e para pa Lionel Messit. Do të jetë një moment perfekt për t’i bërë homazh numrit 10 dhe për të kuptuar se është momenti për të mësuar për të ecur vetëm. Trajneri do të vendosë në fund të vitit hapin e tij të ardhshëm, por Federata Argjentinase është e vendosur t’i ofrojë rinovimin. Kështu që vendimi do të jetë ekskluzivisht i trajnerit.

Top Channel