Sulmi me dron rus në Kiev/ 37 persona humbin jetën, shpërthen depoja ushtarake e Ukrainës
Një kërkesë e pazakontë është bërë gjatë një seance gjyqësore në Milano, ku 26-vjeçarja Emanuela Maria Lamedica, e njohur në botën e muzikës si Lamedica, kërkoi të lirohej nga qelia me argumentin se kishte një angazhim të rëndësishëm profesional: promovimin e këngës së saj të re në rrjetet sociale.
Artistja ishte arrestuar pas një kallëzimi të bërë nga gjyshja e saj, ndërsa ndaj saj rëndojnë akuza për keqtrajtim dhe ofendime verbale. Gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë, Lamedica iu drejtua gjyqtares Chiara Valori me kërkesën që të lejohej të kthehej në shtëpi, pasi kënga e saj e re do të publikohej në Spotify dhe ajo duhej ta reklamonte në Instagram.
“Duhet të publikoj në Instagram për të promovuar këngën time”, ishte në thelb argumenti i 26-vjeçares.
Kërkesa shkaktoi reagime dhe buzëqeshje në sallën e gjyqit, por vendimi i gjyqtares u bazua në rrethanat ligjore të çështjes dhe jo në angazhimet artistike të të arrestuarës.
Lamedica ishte arrestuar pas denoncimit të gjyshes së saj. Sipas mbrojtjes, çështja lidhet me sjellje abuzive dhe fyerje verbale ndaj të moshuarës, ndërsa avokatja e saj ka theksuar se nuk bëhet fjalë për një sulm fizik.
Gjatë seancës, artistja tregoi gjithashtu për kushtet në qelinë e burgut San Vittore, ku kishte kaluar natën.
Pavarësisht situatës, ajo këmbënguli se duhej të përmbushte edhe detyrimet e saj profesionale, pasi kënga e re, “Maniere forti”, ishte pjesë e projektit të saj muzikor pas këngës “Barbie nel ghetto”.
Në përfundim të seancës, gjyqtarja Chiara Valori vendosi lirimin e 26-vjeçares nga burgu, por vendosi ndaj saj masa kufizuese.
Lamedica do të monitorohet përmes një byzylyku elektronik dhe nuk do të lejohet të ketë kontakte me gjyshen e saj, e cila konsiderohet palë e dëmtuar në këtë çështje.
Vendimi i dha mundësinë artistes të rikthehej në shtëpi dhe, siç kishte paralajmëruar në sallën e gjyqit, të vazhdonte aktivitetin e saj në rrjetet sociale.
Më pas, ajo publikoi në Instagram materiale për promovimin e këngës së re, duke e cilësuar atë si një prej hiteve të vitit 2026 dhe duke u bërë thirrje ndjekësve ta dëgjonin dhe ta shpërndanin.
“Ndajeni me të gjithë, veçanërisht me armiqtë e mi”, shkroi ajo në një prej postimeve.
Top Channel