Trump kërkon mbështetje ndaj G20, SHBA-ja ushtron presion mbi ekonomitë e mëdha që të ndërpresin “linjat e jetës” ekonomike të Iranit

28/08/2026 07:34

Administrata Trump synon të sigurojë javën e ardhshme mbështetjen e udhëheqësve ekonomikë të 20 ekonomive më të mëdha të botës për një paketë masash që synojnë nxitjen e rritjes ekonomike, reduktimin e çekuilibrave globale dhe përballimin e sfidave që lidhen me borxhin sovran.

Në të njëjtën kohë, Uashingtoni pritet t’u bëjë presion vendeve të G20 për të ndërprerë lidhjet ekonomike dhe financiare me Iranin, në kuadër të përpjekjeve të administratës amerikane për të izoluar ekonomikisht Teheranin.

Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, do të presë ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të vendeve të G20 në Asheville, Karolina e Veriut, në një takim që do të zhvillohet më 31 gusht dhe 1 shtator.

Sipas një zyrtari të lartë të Thesarit amerikan, çështja e Iranit do të jetë një nga temat e rëndësishme të diskutimeve. Administrata Trump synon të bindë vendet anëtare të G20 që të ndërpresin marrëdhëniet ekonomike me Teheranin, duke paralajmëruar masa ndëshkuese ndaj atyre që vazhdojnë të bëjnë biznes me Iranin.

Takimi zhvillohet pas një periudhe presioni në rritje nga Uashingtoni ndaj Iranit. SHBA ka shtuar sanksionet dhe ka paralajmëruar vendet dhe kompanitë që mbajnë lidhje ekonomike me Teheranin se mund të përballen me sanksione dytësore.

Përveç Iranit, në axhendën e takimit pritet të jenë edhe rritja ekonomike globale, çekuilibrat tregtarë, borxhi sovran dhe forcimi i zinxhirëve të furnizimit, veçanërisht në sektorët strategjikë të energjisë dhe burimeve kritike.

Top Channel