Trump e quan “gjysmë rutinë”, zbardhet misioni i shefit të CIA-s në Moskë
Khalid Sheikh Mohammed, i akuzuari kryesor për organizimin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, pritet të dalë në gjyq në qershor të vitit 2028, raportojnë mediat amerikane.
Sipas një urdhri të gjykatës ushtarake amerikane, procesi gjyqësor ndaj Mohammed është planifikuar të nisë në qershor 2028. Megjithatë, data mund të ndryshojë, pasi ende nuk janë zgjidhur disa çështje procedurale, veçanërisht lidhur me provat që do të lejohen të paraqiten gjatë gjyqit.
Khalid Sheikh Mohammed konsiderohej një nga figurat kryesore të organizatës terroriste al-Kaeda përpara arrestimit të tij në Pakistan, në mars 2003.
Ai u transferua në burgun ushtarak amerikan të Guantanamos në shtator 2006, ku ndodhet ende i burgosur. Para transferimit, Mohammed ishte mbajtur në burgje sekrete të CIA-s, përfshirë një qendër në Poloni, ku iu nënshtrua marrjeve në pyetje dhe torturave.
Në korrik 2025, një gjykatë apeli amerikane rrëzoi një marrëveshje për pranimin e fajësisë, e cila do t’i lejonte Mohammed dhe dy të burgosurve të tjerë të shmangnin dënimin me vdekje në këmbim të pranimit të fajësisë.
Guantanamo, simbol i debatit për të drejtat e njeriut
Burgu i Guantanamos, i ngritur në një bazë të Marinës Amerikane në territorin kubanez të marrë me qira nga Shtetet e Bashkuara, u hap pas sulmeve të 11 shtatorit me urdhër të presidentit të atëhershëm George W. Bush.
Në kulmin e funksionimit të tij, në qendrën e paraburgimit mbaheshin rreth 800 persona të dyshuar për terrorizëm. Sot aty kanë mbetur vetëm pak të burgosur.
Organizatat e të drejtave të njeriut kanë kërkuar prej vitesh mbylljen e Guantanamos, duke e cilësuar qendrën si një simbol të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare.
Pavarësisht polemikave të shumta, burgu vazhdon të funksionojë dhe çështja e Khalid Sheikh Mohammed mbetet një nga proceset më të rëndësishme gjyqësore të lidhura me sulmet e 11 shtatorit.
Top Channel