SHBA kërcënojnë me sanksione vendet që tregtojnë me Iranin, Kina kundërpërgjigjet: Do të mbrojmë interesat tona

26/08/2026 08:25

Uashingtoni po rrit presionin ndaj vendeve që vijojnë të bëjnë biznes me Iranin, por suksesi i strategjisë së re amerikane mund të varet në masë të madhe nga qëndrimi i Kinës.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, njoftoi nisjen e “Operation Economic Outcast”, një fushatë që synon të godasë ekonomikisht vendet që refuzojnë të ndërpresin marrëdhëniet tregtare me Teheranin. Gjatë deklaratës së tij, Bessent nuk e përmendi drejtpërdrejt Kinën, ndonëse Pekini është një prej partnerëve më të rëndësishëm ekonomikë të Iranit.

Kina ka qenë prej kohësh një mbështetje e rëndësishme ekonomike për Teheranin, duke blerë pjesën dërrmuese të eksporteve iraniane të naftës, me vlerë prej dhjetëra miliarda dollarësh në vit, si dhe duke ruajtur marrëdhënie të tjera tregtare me Iranin.

Kina kundërshton kategorikisht sanksionet amerikane që i konsideron “të njëanshme” dhe mbron të drejtën e saj për të zhvilluar tregti të rregullt me vende si Irani dhe Rusia.

Pas deklaratave të Bessent, Ministria e Jashtme kineze paralajmëroi se Pekini do të marrë “të gjitha masat e nevojshme” për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e tij legjitime.

Zëdhënësi i ministrisë, Lin Jian, deklaroi se “lufta ekonomike dhe presioni maksimal” nuk do të ndihmojnë në zgjidhjen e konfliktit, por rrezikojnë të përshkallëzojnë tensionet dhe të dëmtojnë rendin ekonomik e financiar global.

Një pjesë e rëndësishme e naftës iraniane mbërrin në Kinë përmes një sistemi informal të tregtisë, i ndërtuar për të shmangur sistemin financiar amerikan dhe sanksionet.

Rafineritë e vogla private kineze, të njohura si “teapot refineries”, përpunojnë naftë iraniane të sanksionuar nga SHBA-ja, duke përdorur një rrjet portesh, kompanish financiare dhe anijesh që kanë ekspozim të kufizuar ndaj sistemit ndërkombëtar.

Megjithatë, analistët thonë se Uashingtoni ka ende mjete presioni. Një prej tyre do të ishte vendosja e sanksioneve ndaj kompanive kineze të lidhura me ndërmarrje shtetërore, duke ushtruar presion indirekt mbi këto kompani.

Bessent ka deklaruar më herët se SHBA-ja ka paralajmëruar dy banka kineze për rolin e tyre në transaksionet e lidhura me Iranin. Ai ka theksuar se “askush nuk është mbi” sanksionet amerikane.

Çështja vjen në një moment delikat për marrëdhëniet SHBA-Kinë. Presidenti kinez Xi Jinping pritet të vizitojë SHBA-në muajin e ardhshëm, në një takim me presidentin Donald Trump që mund të jetë vendimtar për të ardhmen e armëpushimit tregtar mes dy vendeve.

Analistët paralajmërojnë se vendosja e sanksioneve të gjera ndaj bankave të mëdha kineze do të mund të shkaktonte një reagim të fortë nga Pekini dhe të përkeqësonte ndjeshëm klimën përpara samitit.

Një përshkallëzim i tillë, sipas ekspertëve, mund ta kthente takimin Trump–Xi nga një përpjekje për stabilizim në një takim të fokusuar te menaxhimi i dëmeve dhe pasojave të përplasjes ekonomike.

Pavarësisht kundërshtimit ndaj politikës amerikane të sanksioneve, Kina mund të ndërmarrë hapa të kujdesshëm për të ulur tensionet. Këtu përfshihet edhe reduktimi i blerjeve të naftës iraniane apo rritja e presionit diplomatik ndaj Teheranit për të treguar përmbajtje.

Blerjet kineze të naftës iraniane tashmë kanë rënë ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa bllokada amerikane ka kufizuar eksportet iraniane.

Pekini ka bërë gjithashtu thirrje për rikthimin e qarkullimit normal në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për tregtinë globale të energjisë.

Megjithatë, Kina duket se nuk dëshiron të shndërrohet në një ndërmjetës të drejtpërdrejtë të konfliktit. Pekini synon të mbrojë interesat e veta ekonomike dhe njëkohësisht të ruajë imazhin e një fuqie që mbështet stabilitetin dhe paqen rajonale.

Mesazhi i Kinës ndaj Uashingtonit është i qartë: Pekini mund të kontribuojë në përfundimin e krizës, por nuk dëshiron të bëhet pjesë e strategjisë amerikane të “presionit maksimal” ndaj Iranit.

Top Channel