Pas dy viteve me trofe dhe Europë, Dinamo po tenton të ndërtojë një model të qëndrueshëm dhe presidenti Ardian Bardhi ia atribuon një pjesë të rëndësishme të këtij projekti trajnerit Ilir Daja.

Në intervistën ekskluzive për Top Channel, Bardhi vlerëson rolin e Dajës jo vetëm në fushë, por edhe në ndërtimin e skuadrës dhe në suksesin e merkatos. “Puna e Dajës reflektohet edhe në shitjen e lojtarëve që Dinamo sot ka shitur në klube shumë të rëndësishme.” Sipas tij, edhe transferimi i fundit te Genk është rezultat i punës së përbashkët të trajnerit, grupit dhe klubit. “Për mendimin tim është një rezultat i Dajës, i grupit tonë, të gjithë bashkë.”

Por Bardhi tregon edhe një tjetër detaj të mënyrës sesi merren vendimet në klub. Ndryshe nga modeli tradicional shqiptar, presidenti thotë se nuk ndërhyn në formacion apo në vendimet teknike. “Jo, jo, ashtu nuk jam fare.”

Për merkaton, ai e quan Dajën “filtrin” e Dinamos. “Filtri patjetër, se ai hedh njerëzit në fushë. Ai shikon gjithçka.” Bardhi thotë se mes tij dhe trajnerit është krijuar një bashkëpunim që ai e përshkruan si “një simfoni”, ndërsa objektivi për sezonin është i qartë: ndërtimi i një skuadre që të luftojë për titullin. Dinamo ka fituar dy Kupa Republike, një Superkupë dhe ka marrë pjesë dy vite radhazi në Europë nën drejtimin e Bardhit. Por këtë sezon ambicia është më e madhe.

“Dinamo këtë vit, plani kryesor është fitimi i kampionatit. Objektivi kryesor është fitimi i kampionatit.” Dhe nëse merkatoja mbetet ende e hapur, presidenti thotë se dera e Dinamos është e hapur për lojtarët që mund t’i përshtaten projektit. Vendimin final, megjithatë, e merr ai që i sheh në fushë: Profesor Daja.

ShënimKy material është ekskluziv i Top Channel. Ndalohet riprodhimi, publikimi apo përdorimi i tij, i plotë ose i pjesshëm, pa autorizim dhe pa përmendur burimin.

Top Channel