‘Faleminderit nga zemra, Djimmi’. Në këtë mënyrë, Atalanta zyrtarizoi transferimin përfundimtar të kapitenit të Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti te Al Diriyah në kampionatin e Arabisë Saudite.

Vetëm 6 ditë më parë, qendërmbrojtësi kuqezi përmes një postimi në Instagram përshëndeti klubin bergamask, tifozët dhe qytetin ku ai qëndroi për një dekadë dhe ku arriti të fitojë Europa League me Atalantën.

‘Mbrojtësi 33 vjeçar shqiptar, në këtë mënyrë mbyll një cikël emocionues në Bergamo ku e ka veshur 334 herë fanellën zikaltër dhe ka shënuar 10 gola-theksohet në komunikatën zyrtare të Atalantës-shifra që kanë kontribuuar në mënyrë të konsiderueshme për të shkruar historinë e klubit duke arritur kulmin me fitoren e trofeut të parë ndërkombëtar të Atalantës në finalen e Europa League në 22 maj të 2024, një finale që Gjimshiti e luajti si kapiten i skuadrës. Familja Percassi, ajo Pagliuca dhe i gjithë klubi zikaltër falenderojnë me zëmër Beratin jo vetëm për kontributin e tij në fushë, por edhe për impenjimin, dedikimin dhe lidhjen me fanellën duke i uruar më të mirën për këtë eksperiencë profesionale dhe për të ardhmen’.

Berat Gjimshiti u transferua te Al Diriyah ku ai tashmë e ka nisur punën e tij për vlerën e 3 milionë eurove.

Top Channel