Kush e vrau Tupac? Ngjarja e pazbardhur edhe pas 30 vitesh, hetimet po mbështeten te kujtimet e ish gangsterit

16/08/2026 19:35

Në shtator 1996, Tupac Shakur u qëllua disa herë pranë Las Vegas Strip, ndërsa udhëtonte me makinë me drejtuesin e Death Row Records, Marion “Suge” Knight. Reperi 25-vjeçar ndërroi jetë disa ditë më vonë nga plagët e marra.

Vrasja e tij mbeti e pazgjidhur për dekada dhe u shndërrua në një nga misteret më të mëdha të kulturës popullore amerikane. Pa një të akuzuar dhe pa një përgjigje përfundimtare se kush e kishte organizuar dhe kryer sulmin, rasti ushqeu për vite me radhë teori konspirative, spekulime dhe versione të ndryshme të ngjarjes. Tani, rreth 30 vjet më vonë, një burrë po përballet me drejtësinë: Duane “Keffe D” Davis, ish-udhëheqës bande, 63 vjeç. Ai është personi i vetëm i akuzuar ndonjëherë për vrasjen e artistit.

Hetimi për vite me radhë nuk arriti të ndërtonte një çështje penale kundër një personi të vetëm, raporton The Guardian. Ndërkohë, disa prej njerëzve që mund të kishin dijeni të drejtpërdrejtë për sulmin kanë vdekur.

Orlando Anderson, nipi i Davisit, ishte një nga personat që autoritetet e kishin lidhur prej kohësh me konfliktin që i parapriu vrasjes. Ai vdiq në vitin 1998, vetëm dy vjet pas vdekjes së Tupacut, në një shkëmbim zjarri që nuk kishte lidhje me vrasjen e reperit. Një tjetër person i përmendur në dokumentet e çështjes vdiq në vitin 2004.

Ndërsa tani, prokuroria ka mbështetur hetimet te kujtimet e Davisit në një libër të botuar në 2019, ku përshkruan konfliktin që shpërtheu në Las Vegas pasi nipi i tij, Orlando Anderson, u përlesh me Tupac dhe shoqëruesit e tij gjatë një udhëtimi për të parë një ndeshje boksi të Mike Tyson.

Sipas versionit të publikuar nga Davis, pas përleshjes u krijua një plan për të gjetur Tupac dhe persona të tjerë të lidhur me Death Row Records. Davis shkruan se futi një armë Glock në makinën me të cilën po udhëtonte grupi. Më pas, ai thotë se situata u përshkallëzua dhe një person nga sedilja e pasme, që nuk e identifikon, mori armën dhe filloi të qëllonte.

Dhe pikërisht këtu qëndron një nga aspektet më të rëndësishme të gjyqit: Prokurorët pretendojnë se Davis organizoi sulmin dhe siguroi armën, duke e bërë përgjegjës për vrasjen edhe nëse nuk ishte ai që e përdori armën.

Kjo është edhe arsyeja pse procesi nuk do të japë domosdoshmërisht përgjigjen përfundimtare ndaj pyetjes që ka ndjekur historinë e Tupacut për tre dekada: “Kush e qëlloi?”

Nga ana tjetër, avokatët e Davisit kanë kundërshtuar përdorimin e librit si provë, duke argumentuar se ai dhe bashkautori i tij mund të kenë ekzagjeruar ose zbukuruar detajet për arsye personale dhe financiare. Mbrojtja e ka krahasuar vrasjen e Tupac me vrasjen e John F. Kennedy-t: një ngjarje e analizuar, mitizuar dhe monetizuar pafundësisht. Prokuroria pritet gjithashtu të përdorë intervista që Davis u dha autoriteteve në vitet 2008 dhe 2009.

Familjarët e artistit, në një reagim pas nisjes së procesit, u shprehën se kushdo që ka pasur dorë në vrasje duhet të dënohet! Nëse Davis shpallet fajtor, procesi do të ishte një moment historik: për herë të parë, një person do të mbante përgjegjësi penale për vrasjen e Tupac Shakur.

Top Channel