Objekt i dyshimtë në shinat e trenit në Bavari/ Evakuohen ndërtesat përreth, një robot për asgjësimin e eksplozivëve në stacion

13/08/2026 13:27

Policia gjermane ka nisur evakuimin e disa ndërtesave në qytetin Treuchtlingen, në Bavari, si masë paraprake, pasi në shinat hekurudhore është gjetur një objekt i dyshimtë që dyshohet se mund të jetë një mjet shpërthyes.

Ngjarja është regjistruar mëngjesin e së enjtes, 13 gusht, në hyrje të stacionit hekurudhor të Treuchtlingen, në Frankoninë e Mesme. Objekti u pikas nga një punonjës i hekurudhës, i cili njoftoi menjëherë policinë.

Pas mbërritjes në vendngjarje, autoritetet e konsideruan gjithashtu objektin të dyshimtë dhe dyshuan se mund të bëhej fjalë për një lëndë shpërthyese. Në zonë janë vendosur forca speciale të policisë, ndërsa ekspertë të Policisë Federale dhe ekipe të çminimit po punojnë për të përcaktuar natyrën e objektit dhe nëse ai përbën ndonjë rrezik për qytetarët.

Autoritetet kanë përdorur edhe rreze X për ekzaminimin e objektit, ndërsa një robot çminimi është vënë në funksion pranë stacionit.

Policia ka marrë masa sigurie dhe ka nisur evakuimin e ndërtesave përreth, ndërsa hetimet dhe ekzaminimi i objektit vijojnë. Treuchtlingen është një qytet me rreth 13 mijë banorë dhe ndodhet mes Nurembergut dhe Ingolstadtit.

Top Channel