Migracioni sjell tensione të reja Gjermani-Itali, Roma i përgjigjet Berlinit: Kthimet po, por të zgjidhet edhe çështja e OJQ-ve gjermane

13/08/2026 10:44

Italia dhe Gjermania vijojnë përplasjen për çështjen e emigrantëve dhe kthimin e azilkërkuesve, por qeveria italiane kërkon të ulë tonet. Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi ka deklaruar se nuk ka një përplasje me Berlinin dhe se çështja do të zgjidhet përmes dialogut.

“Nuk ka asnjë luftë me Gjermaninë. Do ta rregullojmë çështjen me ekuilibrin që ka karakterizuar gjithmonë marrëdhëniet tona”, deklaroi Piantedosi, ndërsa komentoi debatin e fundit për rikthimin në Itali të emigrantëve që kanë kërkuar azil në Gjermani.

Sipas ministrit italian, një marrëveshje mes Romës dhe Berlinit ka bërë që numri i azilkërkuesve që Gjermania mund t’i kthejë në Itali, për periudhën përpara marrëveshjes europiane të 12 qershorit, të konsiderohet i mbyllur.

Piantedosi këmbënguli se çështja e të ashtuquajturve “dublinantë”, pra azilkërkuesve që largohen nga vendi i parë i hyrjes dhe më pas identifikohen në një shtet tjetër europian, është pjesë e një marrëveshjeje të arritur më herët me Gjermaninë.

“Ne besojmë se gjithçka që lidhet me të ashtuquajturit ‘dublinantë’ ka qenë objekt i një marrëveshjeje me Gjermaninë, e cila në fakt ka zeruar shifrat e mëparshme, përpara 12 qershorit”, tha ministri.

Debati për anijet e OJQ-ve gjermane

Një tjetër pikë tensioni mes dy vendeve lidhet me anijet e organizatave joqeveritare gjermane që kryejnë operacione shpëtimi në ujërat ndërkombëtare dhe më pas zbarkojnë emigrantët në brigjet italiane

Edhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, mohoi se ekziston një problem serioz me Gjermaninë, por ngriti të njëjtën çështje.

“Do të gjendet një ekuilibër. Nuk besoj se do të ketë probleme për kthimin e ‘dublinantëve’”, deklaroi Tajani.

Megjithatë, sipas burimeve të cituara nga mediat italiane, negociatat mes dy vendeve nuk kanë prodhuar ende ndonjë përparim konkret. Deri tani bëhet fjalë kryesisht për kontakte politike dhe garanci se Italia dhe Gjermania do të vijojnë dialogun.

Qeveria e Giorgia Melonit nuk ka ndërmend të tërhiqet nga qëndrimi i saj për “mbrojtjen e kufijve”, por njëkohësisht nuk dëshiron që debati me Berlinin të shndërrohet në një përplasje të hapur.

Italia shqyrton qendra kthimi edhe në Afrikë

Piantedosi u shpreh gjithashtu në favor të një qasjeje pragmatike dhe të koordinuar për menaxhimin e emigracionit, duke përmendur edhe mundësinë e krijimit të qendrave të kthimit (“Return Hub”) në Afrikë.

I pyetur për mundësinë e qendrave në Kongo dhe Ruandë, ministri nuk e mohoi, por theksoi se është ende shumë herët për të dhënë detaje.

“Nuk e mohoj, por është shumë herët”, u shpreh Piantedosi.

Frika për një fluks të ri emigrantësh drejt Ceutës

Në një tjetër front, Italia po ndjek me vëmendje situatën në Spanjë, veçanërisht në prag të 15 gushtit, kur ekziston frika për një fluks të ri emigrantësh drejt enklavës spanjolle të Ceutës.

“Presim 15 gushtin dhe shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Piantedosi, duke kujtuar se pezullimi i marrëveshjes së Schengenit pritet të jetë në fuqi deri në fund të muajit.

Ministri italian theksoi gjithashtu se rreziku i infiltrimit të personave me lidhje me terrorizmin është një kërcënim që duhet monitoruar vazhdimisht.

Nga Madridi kanë ardhur kritika për vendimin italian për pezullimin e Schengenit, duke e cilësuar atë si një masë me karakter propagandistik.

Tajani iu përgjigj ashpër këtyre akuzave, duke deklaruar se Italia po mbron vetëm interesat e territorit të saj dhe se vendimi për të mos hequr pezullimin përpara 15 gushtit është marrë për arsye sigurie.

“Ne mbrojmë vetëm interesin e territorit tonë. Kemi thënë se deri më 15 gusht nuk do të hiqet pezullimi i Schengenit, më pas do të shohim se si do të zhvillohet situata”, deklaroi Tajani.

Top Channel