“Shpeshherë zjarri në Shqipëri ka qenë politik”/ Ish-deputetja e PS zbulon fajtorët: Ka më shumë shtysa për të djegur territorin sesa për ta mbrojtur

12/08/2026 20:12

Ish-deputetja e PS, Marjana Koçeku, ka ngritur akuza të forta lidhur me zjarret në Shqipëri, duke pretenduar se në disa raste ato mund të kenë edhe prapavijë politike dhe ekonomike.

Duke iu referuar situatës në Krujë, Neomalësorja ka vënë në dukje zonën pranë fabrikës së çimentos, ku ndodhen disa gurore dhe ku gjatë ditëve të fundit janë regjistruar vatra zjarri.

Sipas saj, fakti që disa vatra vijojnë të jenë aktive ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si menaxhohet territori dhe pronësia mbi tokën.

Koçeku pretendon se zjarret mund të përdoren si një mënyrë për të krijuar hapësira për zhvillime të mëvonshme, duke përmendur si shembull rastin e Pishë-Poros, ku sipas saj zjarri vijoi për ditë me radhë dhe dogji sipërfaqe të mëdha.

“Mbas fabrikës së çimentos në Krujë ndodhen 4-5 gurore të mëdha. Këto ditë, ky vend ishte edhe ndër vatrat kryesore të zjarrit, ku 3 prej tyne vazhdojnë me qenë aktive. Jo rastësisht… Shpeshherë zjarri në Shqipëri ka qenë politik dhe mjet për me zaptu territore të reja. Zjarr për me incentivu “zhvillime” të mavonshme, lehtësime ligjore e depërtime që, në kushte normale, nuk do mundeshin me u realizu. Siç ndodhi në Pishë-Poro para dy vitesh, ku zjarri zgjati 10-ditë pa ndërhyrje dhe shkrumboi gjithçka.

Ka ma shumë shtysa me djeg e shfrytëzu territor sesa me e mbrojtë atë. Tu përqendru tanë energjitë te ndërtimi pa kriter dhe spekulativ, njerëzit shohin çdo lloj rruge për përfitim ekonomik. Jo rastësisht shumica e guroreve kontrollohen edhe nga grupe mafioze e kriminale.

Nuk ka ende nji linjë të saktë sesi administrohet toka-pyll. Shpesh tu e lanë tokë të askujt, askushi s’e ndjen ma as përgjegjësinë e as përkatësinë, por vetëm dëshirën me zhvat e me përfitu.

Kjo pashmangshmërisht lidhet edhe me reformat territoriale që janë ba në kohë e që tash po synojnë me shkri disa bashki të vogla. Tu i heq kompetencat prej poshtë, po shkrihet lidhja e komunitetit me territorin, lidhja administrativo-institucionale me njerëzit e vendit. Kjo asht ma shkatërrimtarja.

Tu heq përgjegjësinë e përkatësinë me vendin, marrëdhëniet e komunitetit me territorin kthehen veç në marrëdhanie burokratike në letër. Kthehen në marrëdhanie të thata e të shkretueme”, shkruan Koçeku.

Top Channel