Tajlanda tronditet nga një tjetër sulm me armë, 3 ditë pas masakrës me 7 viktima ish-deputeti qëllon zyrtarin e lartë

10/08/2026 09:13

Një ish-deputet tajlandez është arrestuar pasi dyshohet se qëlloi me armë një zyrtar të qeverisjes lokale, ndërsa më pas telefonoi një prezantues të një emisioni në YouTube ku i tregoi për sulmin.

Policia ka arrestuar Chalong Reawraeng, ish-ligjvënës për provincën Nonthaburi. Thongchai Yenprasert, president i Organizatës Administrative Provinciale të Nonthaburi-t, u dërgua në spital pasi u qëllua me armë zjarri. Në spital është shtruar edhe shoferi i tij, i cili gjithashtu u plagos në sulm. Raportimet lokale bëjnë me dije se të dy janë në gjendje të rëndë.

Sipas autoriteteve, motivi i sulmit mund të lidhet me një konflikt personal mes ish-deputetit dhe zyrtarit. Ngjarja ka tronditur Tajlandën pasi ndodhi vetëm pak ditë pas një tjetër sulmi me armë në të njëjtën provincë.

Vetëm tre ditë para të shtënave të së hënës, një 14-vjeçar hapi zjarr në shtëpinë dhe shkollën e tij në Nonthaburi. Adoleshenti vrau gjyshërit në banesë, përpara se të qëllonte ndaj mësuesve dhe nxënësve në shkollë. Më pas, ai vrau veten. Në total, shtatë persona humbën jetën në sulm, i cili u cilësua si më i rëndi i këtij lloji në Tajlandë që prej vitit 2022.

Sipas hetimeve paraprake, konsumimi i përmbajtjeve të dhunshme në rrjetet sociale, presioni për studimet, problemet familjare dhe konfliktet me bashkëmoshatarët mund të kenë ndikuar në sjelljen e 14-vjeçarit.

Në rastin e ish-deputetit, autoritetet po hetojnë motivin personal që dyshohet se qëndron pas sulmit.

Top Channel