Kampionati Botëror nuk sjell vetëm lavdi sportive për lojtarët, por edhe përfitime marramendëse financiare për klubet e tyre.

Manchester City dhe UEFA janë përfituesit më të mëdhenj nga programi i ndihmës financiare i FIFA-s, i cili kompenson skuadrat për lëshimin e futbollistëve në turneun më të rëndësishëm në botë.

Mbi 310 milionë euro në lojë

Fondi total i shpërndarë nga FIFA kap shifrën e pak më shumë se 310 milionë eurove. Nga kjo “tortë” e majme, Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) do të marrë pjesën e luanit me plot 70%, një e dhënë e pritshme duke marrë parasysh se pjesa dërrmuese e yjeve që garuan në Botëror aktivizohen pikërisht në kontinentin e vjetër.

City në majë, por paratë s’bëjnë diferencën

Në nivel klubesh, Manchester City mban vendin e parë absolut. Kampionët e Anglisë u përfaqësuan me 19 lojtarë gjatë turneut dhe pritet të fusin në arka afro 4 milionë euro. Ndërsa për shumë klube modeste kjo shumë do të ishte një injeksion jetik financiar, për buxhetin kolosal të “Qytetarëve” kjo shifër është më tepër si një pikë uji në oqean.

Renditja: Kush e ndjek City-n?

Në listën e klubeve më të paguara nga FIFA, Barcelona pozicionohet e dyta duke arkëtuar 3.5 milionë euro, e ndjekur nga Arsenali me 2.9 milionë. Paris Saint-Germain dhe Atletico Madrid ndajnë pozitat e radhës me nga 2.8 milionë euro secila. Vlen të theksohet se gjigantët e Real Madridit gjenden vetëm në vendin e 9-të, me një përfitim prej 2.2 milionë eurosh.

Surpriza nga Arabia Saudite

Një detaj tejet interesant i kësaj renditjeje është dominimi i frikshëm i Evropës. Nga 15 ekipet e para që do të marrin më shumë të ardhura, është vetëm një klub i vetëm jo-evropian që thyen monopolin: skuadra e Al Hilal nga Arabia Saudite, e cila pozicionohet e 11-ta.

Top Channel