Chris Brown ndryshon deklaratën dhe pranon akuzën për sulm, producenti muzikor kërkon drejtësi pas incidentit në klub

24/07/2026 18:35

Këngëtari dhe reperi amerikan Chris Brown është deklaruar fajtor për sulmin ndaj producentit muzikor Abraham Diaw, i cili ndodhi tre vite më parë në një klub nate në Londër.

Sipas mediave britanike dhe raportimeve të TMZ, Brown u paraqit të premten, më 24 korrik, në Gjykatën e Kurorës Southwark në Londër, ku ndryshoi qëndrimin e tij nga i pafajshëm në pranimin e akuzës për sulm.

Ngjarja lidhet me një incident të ndodhur në shkurt të vitit 2023 në klubin e natës “Tape” në Londër, ku producenti muzikor Abraham Diaw pretendoi se u sulmua me një shishe. Pas arrestimit, Brown u lirua me një garanci prej 5 milionë paundësh.


Së bashku me të, edhe partneri i tij Omololu Akinlolu, i cili ishte i pranishëm gjatë incidentit dhe akuzohet gjithashtu për sulm, pranoi fajësinë.

Në deklarimin e tyre, ata pranuan se kishin “përdorur ose kërcënuar me forcë të paligjshme ndaj një personi tjetër” dhe se sjellja e tyre ishte e tillë që mund të shkaktonte frikë për sigurinë personale te një person i arsyeshëm.

Prokuroria vendosi të tërheqë akuzat më të rënda për tentativë shkaktimi të dëmtimeve të rënda trupore, si dhe një akuzë tjetër për dëmtim fizik.

Vendimi për dënimin e Chris Brown dhe Omololu Akinlolu pritet të shpallet më 26 tetor.

Top Channel