Princi George mbush 13 vjeç, familja mbretërore publikon portretin e ri të tij
Ndërtesa ku lindi Adolf Hitleri, në qytetin Braunau am Inn pranë kufirit mes Austrisë dhe Gjermanisë, ka nisur zyrtarisht një kapitull të ri, duke u shndërruar në stacion policie pas vitesh debatesh për të ardhmen e saj.
Shteti austriak e bleu me detyrim pronën në vitin 2017, pasi ajo ishte në pronësi private dhe më parë shërbente si qendër bamirësie për personat me aftësi të kufizuara. Dy vite më vonë u vendos që ndërtesa të rikonstruktohej dhe të përdorej si stacion policie.
Sot, i vetmi element që kujton të kaluarën e saj historike është një gur përkujtimor nga kampi i përqendrimit Mauthausen, i vendosur përballë ndërtesës, ku shkruhet mesazhi: “Kurrë më fashizëm”. Në fasadën e godinës është shtuar vetëm mbishkrimi “Polici”.

“Qëllimi ishte të shkëputej çdo lidhje me Adolf Hitlerin, në mënyrë që ndërtesa të çlirohej nga çdo simbolikë apo mit që lidhet me të”, deklaroi Stefan Mltschoch, drejtues i Departamentit të Historisë në Ministrinë e Brendshme të Austrisë.
Gjatë regjimit nazist, ndërtesa ishte shndërruar në një muze arti si pjesë e kultit të personalitetit të Hitlerit. Megjithatë, autoritetet kujtojnë se ai jetoi aty vetëm për disa javë pas lindjes së tij në vitin 1889, përpara se familja të largohej nga shtëpia.

Edhe pse turistët vazhdojnë të ndalojnë për të fotografuar godinën, autoritetet lokale thonë se vizitat e grupeve neonaziste janë ulur ndjeshëm vitet e fundit. Në Austri, përshëndetja naziste dhe përdorimi i simboleve naziste janë të ndaluara me ligj.

Kryetari i bashkisë së Braunau am Inn, Johannes Weidbacher, tha për Reuters se komuniteti lokal, në përgjithësi, e ka pranuar funksionin e ri të ndërtesës. Sipas tij, ishin shqyrtuar edhe alternativa të tjera, si përdorimi për administratë publike ose aktivitete bamirësie, por stacioni i policisë u konsiderua zgjidhja më e përshtatshme.

Megjithatë, vendimi ka hasur edhe kritika. Komisioni Mauthausen, organizata më e madhe e të mbijetuarve të Holokaustit në Austri, argumenton se ndërtesës duhet t’i jepej një rol më i madh në edukimin publik mbi krimet e nazizmit.

Përfaqësuesit e organizatës theksojnë se, ndërsa në Mauthausen çdo vit përcillet mesazhi “Kurrë më”, në Braunau duket se po tentohet të minimizohet rëndësia historike e vendit. Sipas tyre, ndryshimi i funksionit të ndërtesës nuk do t’i ndalojë neonazistët ta vizitojnë atë, pasi vendlindja e Hitlerit do të mbetet gjithmonë një pikë referimi e njohur ndërkombëtarisht.
Edhe mes banorëve mendimet mbeten të ndara. Disa do të preferonin që godina të vazhdonte të përdorej për qëllime bamirësie, ndërsa të tjerë besojnë se shndërrimi i saj në stacion policie është mënyra më e mirë për t’i dhënë fund përdorimit të saj si simbol për grupet ekstremiste.
Top Channel