Prej kohësh ndjek shënimet e një qytetari nga Përmeti, i cili endet fshat më fshat, për të zbuluar bukurinë e thjeshtë të vendit të vet. Ai nuk shkruan si turist por si njeri që njeh dhe e do tokën ku ka lindur. Për këtë arsye, fjalët e tij kanë atë cilësi të veçantë, sinqeritetin.
Sot, ndërkaq, më ra në sy një vërejtje e tij, e vogël në dukje, por e madhe në kuptim. Fliste për mungesën e banjave publike në Përmet.
Dikush mund të buzëqeshë e ta quajë një hollësi. Por pikërisht kombet që nuk dinë të kujdesen për hollësitë, janë ata që mburren më shumë me madhështitë e rreme.
Dhe kur një shqetësim i tillë ngrihet në Përmet, qytet që me të drejtë mbahet si një ndër më të pastërtit e më të qytetëruarit në Shqipëri, atëherë nuk kemi të bëjmë me një ankesë nga provinca, por me një simptomë kombëtare.
Në Shqipëri flitet pa pushim për turizmin. Për Maldivet e Jugut për resortet apo për festat me shkumë. Çdo verë numërohen vizitorët, maten netët e qëndrimit, shpallen rekorde e ngrihen dolli për sukseset. Mirëpo, askush nuk pyet se ku do të gjejë një banjë publike ai vizitor që aq shumë përmendet në konferenca e fjalime. Është e çuditshme se si dimë të ndërtojmë propagandë, por jo një derë, një rubinet dhe pak ujë të rrjedhshëm.
Teksa lexoja postimin e zotërisë nga Përmeti,
Nga kureshtja pyeta miq e të njohur në qytete të ndryshme. Përgjigjet qenë pothuajse të njëjta.
Shqipëria mund t’i numërojë me gishtat e dorës banjat publike funksionale, qoftë në qytetet kryesore, qoftë përgjatë bregdetit, ku miliona turistë ftohen çdo vit të shijojnë mikpritjen shqiptare.
Në fund të fundit, qytetërimi nuk fillon te bulevardi, as te fasada e lyer rishtazi. Ai fillon aty ku njeriu gjen dinjitet edhe në nevojën e tij më të zakonshme. Një vend që nuk kujdeset për këtë hall, mund të ketë hotele e resorte sa të dojë por do të vazhdojë të vuajë nga një varfëri më e rëndë se ajo ekonomike, varfëria e mendësisë.
Sepse banjat publike nuk janë thjesht godina. Ato janë hapsira të vogla për halle të mëdha që ne ende nuk dimë ti japin zgjidhje.
Top Channel