Kostoja e luftës me Iranin alarmon SHBA-në, shpenzimet shkojnë 37.5 miliardë dollarë dhe numërimi vazhdon
Kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, ka miratuar vazhdimin e përdorimit të bazave ushtarake britanike nga Shtetet e Bashkuara për operacione të kufizuara kundër Iranit, duke ruajtur politikën e ndjekur nga paraardhësi i tij, Keir Starmer.
Sipas raportimeve të i24news.tv, Burnham mori zyrtarisht detyrën më 20 korrik, pasi Starmer dha dorëheqjen. Përpara marrjes së detyrës, qeveria britanike kishte zhvilluar një takim me ministra të lartë dhe zyrtarë të sigurisë, ku ishte rënë dakord që SHBA të vazhdonte përdorimin e bazës ushtarake Diego Garcia në Oqeanin Indian dhe bazës ajrore RAF Fairford në Angli.
Kryeministri i ri u informua mbi vendimin dhe dha miratimin për vazhdimin e kësaj politike. Londra e cilëson përdorimin e këtyre bazave si pjesë të operacioneve “me natyrë mbrojtëse”, ndërsa Uashingtoni argumenton se sulmet synojnë neutralizimin e kërcënimeve raketore iraniane dhe garantimin e sigurisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Vendimi pritet të sjellë reagime të forta në skenën politike britanike. Parti dhe përfaqësues të së majtës kanë shprehur shqetësimin se përfshirja e bazave britanike në operacionet amerikane mund ta bëjë Mbretërinë e Bashkuar bashkëpërgjegjëse në përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Nga ana tjetër, qeveria britanike synon të ruajë ekuilibrin mes partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe shqetësimeve ligjore e politike që lidhen me zgjerimin e konfliktit rajonal.
Menjëherë pas marrjes së detyrës, Burnham zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump. Gjatë komunikimit, të dy liderët diskutuan mbi bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, marrëdhëniet tregtare dhe sigurinë rajonale, ndërsa kryeministri britanik ritheksoi angazhimin e Londrës për mbrojtjen e sigurisë detare në Ngushticën e Hormuzit.
Ky vendim konsiderohet si një nga provat e para të rëndësishme të politikës së jashtme të Andy Burnham, në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të mbeten të larta dhe qeveria britanike përballet me presione të shumta si në arenën ndërkombëtare, ashtu edhe në politikën e brendshme.
Top Channel