Një shpërthim ka ndodhur mëngjesin e së hënës pranë një ndërtese federale në Manhattan, Nju Jork, duke shkaktuar alarm dhe mobilizim të menjëhershëm të forcave të policisë dhe zjarrfikësve.

Incidenti ndodhi jashtë godinës 26 Federal Plaza, ku ndodhen dhjetëra agjenci federale amerikane, mes tyre FBI, Zyra e Emigracionit dhe Doganave (ICE) si dhe Shërbimet e Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së (USCIS).

Sipas raportimeve të CBS, dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga fishekzjarrë të hedhur në një kosh mbeturinash. Pas shpërthimit, zjarrfikësit mbërritën me shpejtësi në vendngjarje dhe vunë flakët nën kontroll.


Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale shihet momenti kur efektivët e policisë dhe punonjësit e ndërtesës dalin me nxitim jashtë, ndërsa një burrë ndalohet dhe vihet në pranga nga autoritetet. Deri më tani nuk është konfirmuar nëse gjatë incidentit janë dëgjuar apo janë qëlluar të shtëna me armë zjarri.

Policia e Nju Jorkut ka bërë të ditur se zona përreth rrugëve Worth Street dhe Lafayette Street mbetet e kufizuar, ndërsa qytetarët janë paralajmëruar të shmangin lëvizjet në këtë pjesë të Manhattanit për shkak të mbylljes së rrugëve, vonesave në trafik dhe ndërprerjeve të transportit publik.

Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe motivet e personit të arrestuar.

Top Channel