Task Forca e Tatimeve i shkoi për kontroll në biznes, punonjësit e një resorti i mbyllin brenda ambienteve, pesë të arrestuar

19/07/2026 12:01

Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Golem, ku administratori dhe katër punonjës të një resorti janë arrestuar pasi dyshohet se kanë mbajtur të mbyllur për një kohë të konsiderueshme punonjësit e Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të cilët ndodheshin në ambientet e biznesit për ushtrimin e detyrës.

Sipas Policisë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Kavajës ndërhynë pas kallëzimit të bërë nga inspektorët e Tatimeve dhe vunë në pranga, në flagrancë, administratorin e resortit dhe katër punonjës të tjerë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se pesë të arrestuarit, duke vepruar në bashkëpunim, dje, më 18 korrik 2026, kanë penguar dhe kanë privuar nga liria punonjësit e Task Forcës së Tatimeve, duke i mbajtur të izoluar brenda ambienteve të resortit, ndërsa këta të fundit po kryenin kontroll në kuadër të detyrës së tyre.

Ndaj të arrestuarve rëndon akuza për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve dhe veprimet e mëtejshme ligjore.

Top Channel