Rakuni “Jimothy” pushton rrjetin, kafsha me deformim të rrallë mahnit banorët e Seattle-it

17/07/2026 08:41

Një rakun i pazakontë ka kthyer vëmendjen e banorëve të Seattle-it dhe përdoruesve të rrjeteve sociale, falë pamjes së tij unike dhe mënyrës së veçantë të lëvizjes.

Kafsha e vogël e egër, e quajtur nga vendasit “Jimothy”, dyshohet se mund të vuajë nga një deformim i rrallë kongjenital i shtyllës kurrizore, i cili i jep asaj një trup me formë të pazakontë. Edhe pse rakuni nuk është ekzaminuar nga një veteriner dhe nuk ka një diagnozë zyrtare, ekspertët mendojnë se mund të bëhet fjalë për të ashtuquajturën “sindromën e shpinës së shkurtër”, një gjendje e shkaktuar nga zhvillimi jonormal i rruazave gjatë periudhës fetale.

Video të publikuara në rrjetet sociale tregojnë Jimothy-n duke lëvizur normalisht nëpër oborre, duke ngjitur shkallë, duke kaluar nëpër hapësira të ngushta dhe madje duke ruajtur ekuilibrin në kangjella ballkonesh.

Pamja e veçantë e rakunit është bërë shpejt virale, me mijëra reagime në platforma si Reddit dhe Instagram. Shumë përdorues kanë shprehur admirimin e tyre për kafshën, por edhe kanë bërë thirrje që ajo të mos shqetësohet dhe të lihet të jetojë në habitatin e saj natyror.

Ekspertët paralajmërojnë se, pavarësisht pamjes së pazakontë, Jimothy duket se është përshtatur mirë me jetën në natyrë. Marcy Logsdon, profesoreshë e asociuar në Spitalin Mësimor Veterinar të Universitetit Shtetëror të Uashingtonit, tha se nuk mund të vendosë një diagnozë vetëm nga pamjet, por mënyra si lëviz kafsha është një shenjë pozitive.

“Fakti që ka arritur këtë moshë më tregon se po shkon mirë dhe është përshtatur. Sinqerisht u befasova dhe u frymëzova nga rezistenca e saj”, u shpreh ajo.

Sipas ekspertes, mënyra më e mirë për ta ndihmuar rakunin është që njerëzit të mbajnë distancë dhe të mos përpiqen ta kapin apo ta trajtojnë vetë. Në rast shqetësimi për shëndetin e tij, rekomandohet të kontaktohen qendra të specializuara për kujdesin ndaj kafshëve të egra.

Jimothy është tashmë një simbol i vogël i përshtatjes dhe mbijetesës, duke treguar se edhe kafshët me veçori të pazakonta mund të përshtaten dhe të jetojnë në mjediset urbane.

Top Channel