“Do të të qëlloj në kokë nëse fiton”/ Kërcënoi me vrasje Nigel Farage në rrjetet sociale, arrestohet një person në Londër

15/07/2026 15:39

Policia ka arrestuar një burrë në Londër, i dyshuar për kërcënim me vrasje ndaj liderit të Reform UK, Nigel Farage, pas një postimi në rrjetet sociale ku shkruante: “Do të të qëlloj në kokë nëse fiton”, raporton The Telegraph.

Sipas raportimit, i dyshuari e përshkruante veten si terrorist në profilet e tij në rrjetet sociale.

Arrestimi vjen vetëm pak ditë pas vrasjes së ish-deputetes së Reform UK, Ann Widdecombe. Vetëm disa orë para se të bëhej publik lajmi për arrestimin, zëdhënësi për çështjet e brendshme i Reform UK, Zia Yusuf, kishte folur për rreziqet në rritje ndaj sigurisë së figurave politike, duke premtuar se një qeveri e Reform UK do të siguronte mbrojtje të përshtatshme si për deputetët në detyrë, ashtu edhe për ish-deputetët.

Reform UK, së bashku me Partinë Laburiste dhe përfaqësues të tjerë ndërpartiakë, kanë kërkuar forcimin e masave të sigurisë për politikanët pas vrasjes së Widdecombe në banesën e saj javën e kaluar.

Farage ka deklaruar se kërcënimet ndaj politikanëve, si në internet ashtu edhe në jetën reale, nuk janë trajtuar me seriozitetin e duhur nga autoritetet.

Sipas raportimit, ky është rasti i parë kur një referim nga autoritetet parlamentare për hetimin e një kërcënimi me vrasje ndaj Farage ka çuar në arrestimin e një të dyshuari.

Top Channel