Alarm në Serbi/ Konfirmohet murtaja afrikane e derrave, do të asgjësohen 11 mijë krerë
Brian Potter, një nga producentët dhe kompozitorët më të suksesshëm britanikë të muzikës, ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare.
Lajmin e konfirmoi vajza e tij për Billboard, duke bërë të ditur se artisti vuante prej vitesh nga sëmundja e Alzheimerit.
Potter ndërroi jetë më 30 qershor në një azil pleqsh në Granada Hills, Los Angeles, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në industrinë muzikore.
Së bashku me partnerin e tij amerikan në krijimin e këngëve, Dennis Lambert, ai ishte autor i një sërë hitesh që dominuan muzikën pop, soul, country dhe soft rock gjatë viteve 1970. Mes tyre spikasin “Rhinestone Cowboy” e Glen Campbell, e cila arriti vendin e parë në SHBA në vitin 1975, “It Only Takes a Minute”, e bërë fillimisht hit nga Tavares dhe më vonë e risjellë me sukses nga Take That, “Baby Come Back” e grupit Player, si dhe “Ain’t No Woman (Like the One I’ve Got)”, një nga këngët më të suksesshme të Four Tops.
I lindur dhe i rritur në Essex të Anglisë, Brian Potter studioi muzikë dhe fillimisht u bë i njohur si baterist. Suksesin e parë si tekstshkrues e arriti në vitin 1965, kur bashkëshkroi hitin “Whatcha Gonna Do About It” të grupit Small Faces.
Më vonë ai u njoh me Dennis Lambert gjatë një vizite të këtij të fundit në Londër dhe u transferua në Shtetet e Bashkuara, ku dyshja krijoi një nga partneritetet më të suksesshme të muzikës amerikane.
Në vitin 1971, Potter shënoi një tjetër sukses të madh me këngën “Don’t Pull Your Love”, interpretuar nga Hamilton, Joe Frank & Reynolds, e cila u rendit në vendin e katërt në SHBA dhe më pas u interpretua edhe nga Glen Campbell.
Kontributi i tij ishte vendimtar edhe në rikthimin e Four Tops në skenën muzikore. Në vitin 1973, ai dhe Lambert ndihmuan grupin të ndryshonte drejtim artistik pas largimit nga Motown Records, duke prodhuar hitin “Ain’t No Woman (Like the One I’ve Got)”, që i riktheu në pesëshen më të mirë të klasifikimeve amerikane për herë të parë që nga viti 1967.
Gjatë karrierës së tij, Potter punoi edhe me Universal Studios në projekte si “Rockin’ Graveyard Revue” dhe “The Blues Brothers Show”, ndërsa në fund të viteve ’70 prodhoi albumin “Baby Come Back” të grupit Player, që qëndroi tre javë në vendin e parë në SHBA, si dhe albumin “Inner Secrets” të Santana-s.
Me ndarjen nga jeta të Brian Potter, industria muzikore humbet një prej autorëve dhe producentëve që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës moderne.
Top Channel