“Logjika e hurit dhe drurit i ka dhënë protestës ngjyrën e sorrave”, Rama pas sulmit kibernetik ndaj bizneseve: Google po rikthen yjet e merituara

10/07/2026 21:52

Kryeministri Edi Rama në një reagim të bërë në rrjetet sociale këtë mbrëmje, ka deklaruar se autoritete shqiptare kanë kontaktuar Google dhe pas verifikimeve, faqet e sipërmarrjeve shqiptare të cilave iu ulën ‘yjet’ për shkak të review-ve negative, po u rikthehen vlerësimet siç kanë qenë para sulmit kibernetike.

Me tone të ashpra u është drejtuar Rama komentuesve që kanë bërë një valë sulmesh online me komente dhe review negative, si formë proteste për biznese që nga protestuesit në shesh u quajtën të lidhura me qeverinë apo se kanë përfituar prej saj.

“Jehona e një TURPI ALLA SHQIPTARÇE arriti deri në majën e piramidës së Google, ku autoritetet tona kërkuan ndihmë për të nxjerrë një sërë sipërmarrjesh nga BLOZA E TERRORIT DIGJITAL të ushtruar prej pengmarrësve të protestës së flamingove, të cilët përmes 10 mijë llogarive të hapura enkas organizuan dhe orkestruan një SULM TË PADËGJUAR KRIMINAL mbi hotele, bujtina, restorante, duke u hequr me DHUNË yjet e mbledhura nga përshtypjet pozitive të klientëve.

Pra, logjika e hurit dhe drurit që i ka dhënë protestës ngjyrën e sorrave e zërin e korbave: Nuk duam investorë të huaj, nuk duam biznese vendase, duam litar, burg, zjarr – tip naziskinësh me qeleshe e komunistash me flamur në qafë, laro e balo të duartrokitur me pasion nga dështakëzemërakë të rënë nga vakti, plot urrejtje, ligësi e mediokritet të pangushëllueshëm.

Policia vijon me hetimin e skemës kriminale, ndërkohë që me ndihmën e Google-it faqet e sipërmarrjeve po u rikthehen yjet e merituara me punë e mund të madh”, shkruan Rama.

Top Channel