“Do ta vrasim Trumpin”/ Pankarta tronditëse në ceremoninë mortore të Khameneit, në shënjestër edhe Pezheskian

09/07/2026 17:02

Ceremonitë mortore për Liderin Suprem të Iranit, Ali Khamenei, janë shoqëruar me shfaqjen e banderolave që përmbajnë kërcënime ndaj Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Një banderolë e madhe me mbishkrimin “Do ta vrasim Trumpin” u mbajt nga pjesëmarrësit në ceremoninë e zhvilluar në qytetin e shenjtë të Mashhadit, ku Khamenei pritet të varroset, pas ceremonive dhe procesioneve mortore që kanë zgjatur për gjashtë ditë.

Një tjetër banderolë me të njëjtin mesazh u vendos gjatë natës në fasadën e një hoteli në Mashhad, ndërsa të hënën pjesëmarrës në ceremonitë mortore në Teheran u panë gjithashtu duke mbajtur pankarta me të njëjtin kërcënim.


Deklaratat dhe mesazhet vijnë në një kohë tensionesh të larta mes Teheranit dhe Uashingtonit. Vetë Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të mërkurën, pas përfundimit të Samitit të NATO-s, se ai vazhdon të jetë objektiv i kërcënimeve nga Irani.


“Unë marr kërcënime gjatë gjithë kohës. Unë jam numri një në listën e tyre”, u shpreh Trump.

Ndërkohë, mediat raportojnë se ditët e fundit janë shfaqur edhe tensione të brendshme në Iran. Gjatë disa aktiviteteve publike, Presidenti iranian Masoud Pezeshkian dhe ministri i Jashtëm Abbas Araghchi u përballën me protesta dhe fyerje nga qytetarë, të cilët i akuzuan se nuk kanë mbajtur një qëndrim mjaftueshëm të ashpër ndaj Shteteve të Bashkuara.

Sipas raportimeve, disa protestues i cilësuan ata “tradhtarë” dhe i akuzuan për marrëveshjen e nënshkruar me SHBA-në, duke nxjerrë në pah përçarjet që, sipas mediave, vazhdojnë të ekzistojnë brenda regjimit iranian.

Top Channel