Fundoset platforma e naftës me 115 persona në bord në Gabon, një i vdekur dhe katër të zhdukur

28/10/2026 20:27

Një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë rezultojnë të zhdukur pas fundosjes së një platforme shpimi nafte dhe gazi në brigjet e Gabonit.

Në momentin e incidentit, në bordin e platformës “Prospector 5” ndodheshin 115 persona.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, deri më tani janë shpëtuar 110 persona, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë për gjetjen e personave të zhdukur. Pesë persona rezultuan fillimisht të zhdukur, por një shtetas indian u gjet pa ndjenja. Katër të tjerët që ende nuk janë gjetur janë tre shtetas gabonezë dhe një shtetas i huaj.

Megjithatë, autoritetet e Gabonit nuk kanë konfirmuar zyrtarisht asnjë viktimë dhe kanë bërë të ditur se operacionet për gjetjen e personave të zhdukur vijojnë.

Platforma “Prospector 5”, në pronësi dhe nën operimin e kompanisë Borr Drilling Limited, pësoi një incident gjatë operacioneve paraprake të ngarkimit, i cili shkaktoi humbjen e stabilitetit dhe më pas fundosjen e saj.

Sipas kompanisë, platforma nuk kishte nisur ende shpimet në zonën ku ndodhi incidenti.

Borr Drilling ishte kontraktuar për të mbështetur operacionet e shpimit të kompanisë BW Energy, e cila zotëron 73.5% të pjesëmarrjes në licencën përkatëse, ndërsa Panoro Energy mban 17.5%.

Ministria e Naftës dhe Gazit Natyror e Gabonit ka aktivizuar një njësi për menaxhimin e krizave dhe ka urdhëruar marinën të kontribuojë në operacionet e kërkim-shpëtimit në det.

Ndërkohë, ministri i Naftës dhe Gazit Natyror, Clotaire Kondja, ka urdhëruar zhvillimin e një hetimi teknik për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e incidentit.

Drejtori ekzekutiv i Borr Drilling, Bruno Morand, shprehu shqetësimin për personat që vijojnë të rezultojnë të zhdukur, duke theksuar se përparësi mbetet mbështetja e operacioneve të shpëtimit dhe garantimi i mirëqenies së personelit të përfshirë.

Nga ana tjetër, Panoro Energy bëri të ditur se prodhimi ishte ndërprerë pas incidentit. Kompania sqaroi gjithashtu se nuk kishte raportime për dëme apo rrjedhje aksidentale të hidrokarbureve, çka u konfirmua edhe nga ministria përkatëse.

Hetimet dhe operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, ndërsa priten informacione të mëtejshme për fatin e personave të zhdukur dhe shkaqet e fundosjes së platformës.

Top Channel