SHBA sulmon Iranin dhe rikthen sanksionet ndaj naftës: U përgjigjëm pasi Tehereani shënjestroi anijet tregtare

07/07/2026 23:47

Shtetet e Bashkuara ndërmorën të martën sulme të reja ndaj Iranit dhe rivendosën sanksionet mbi shitjet e naftës iraniane, në përgjigje të një sërë sulmesh ndaj anijeve tregtare pranë Ngushticës së Hormuzit.

Në një deklaratë të publikuar në platformën X, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se forcat amerikane kanë “nisur një seri goditjesh të fuqishme ndaj Iranit për t’i imponuar kosto të rënda për shënjestrimin dhe sulmet ndaj anijeve tregtare me ekuipazhe civile në një rrugë ujore ndërkombëtare.”

“Goditjet amerikane janë përgjigje ndaj sulmeve iraniane ndaj tre anijeve tregtare që po kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit. Agresioni i treguar nga Irani ishte i pajustifikuar, i rrezikshëm dhe një shkelje e qartë e armëpushimit”, thuhet në deklaratë.

Deklarata u publikua menjëherë pasi SHBA riktheu sanksionet ekonomike ndaj Iranit. Këto masa përbëjnë një nga sfidat më serioze për armëpushimin e brishtë mes dy vendeve. Rivendosja e sanksioneve heq një nga lëshimet kryesore që Uashingtoni kishte bërë ndaj Teheranit në këmbim të rihapjes së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

“Irani do të përfitojë vetëm nëse tregon sjellje të përgjegjshme”, deklaroi një zyrtar amerikan. “Veprimet e Iranit në Ngushticën e Hormuzit ishin plotësisht të papranueshme për Shtetet e Bashkuara dhe do të kenë pasoja.”

Lajmi ndikoi menjëherë në tregjet ndërkombëtare të naftës. Çmimi i naftës Brent u rrit me 3%, duke arritur në 76 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane u rrit me afro 6%, duke kaluar sërish mbi 70 dollarë për fuçi për herë të parë që nga 30 qershori.

Fillimisht, Departamenti Amerikan i Thesarit kishte rënë dakord të pezullonte sanksionet ndaj shitjes së naftës iraniane për 60 ditë, si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit. Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, e kishte cilësuar atë vendim si një shenjë besimi në “bisedimet konstruktive” mes dy vendeve.

Top Channel