Mungon avokati i Veliajt, shtyhet sërish gjyqi me Ols Dadon në Gjykatën Administrative. Kryebashkiaku: Unë pa punë jam, kështu që…

03/07/2026 13:03

I shoqëruar nga forcat e policisë, ka mbërritur vetëm para pak çastesh në ambientet e Gjykatës Administrative, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Pas pak çastesh pritet të nisë seanca e radhës gjyqësore që mbahet mes Veliajt dhe prokurorit të Posaçëm, Olsi Dado.

Ndërkohë, avokati i tij, Plarent Ndreca, nuk është paraqitur, pasi ka njoftuar Gjykatën se ndodhet me fëmijën e tij në urgjencë.

Seanca e fundit u shty për t’u dhënë kohë palëve të shqyrtojnë kërkesën e shoqatës “Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë”, e cila ka kërkuar të përfshihet si palë në procesin gjyqësor.

Shoqata i është drejtuar Gjykatës Administrative me kërkesën që të shpallë të pavlefshëm dekretin për emërimin e Ols Dados si prokuror në vitin 2008.

Sipas përfaqësuesve të saj, çështja ka interes të gjerë publik, pasi lidhet me integritetin e sistemit të drejtësisë, një prej objektivave kryesorë të veprimtarisë së kësaj organizate.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku kërkon anulimin e dekretit presidencial me të cilin Ols Dado u emërua prokuror në vitin 2008, duke argumentuar se ai nuk kishte përfunduar Shkollën e Magjistraturës.

Palë e paditur në këtë proces është edhe Presidenca, institucioni që në atë kohë, nën drejtimin e Bamir Topit, dekretoi emërimin e Ols Dados në detyrën e prokurorit.

Për shkak të mungesës së avokatit të Veliajt, gjykata vendosi shtyrjen e seancës më 24 korrik.

Pjesë nga komunikimi në Gjykatën Administrative: 

Veliaj: Dua të deklaroj se pa praninë e avokatit nuk mund të vazhdohet seanca.

Avokati i Ols Dados: E lë në vlerësim të Gjykatës.

Gjykata: Në kuadër të mbrojtjes efektive e shtyjmë seancën për datën 24 korrik, ora 09:00.

Veliaj: Unë pa punë jam, kështu që…

Top Channel