Vatikani merr vendimin, largon nga kisha drejtuesit dhe disa ndjekës të sektit katolik global
Tetë persona janë arrestuar në Britani si pjesë e një hetimi mbi një rrjet ndërkombëtar burrash që dyshohet se drogonin dhe abuzonin seksualisht me grat, njoftoi sot Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA).
Rasti ka rikthyer në vëmendje ngjarjen e francezes Gisèle Pélicot, e cila për vite me radhë drogohej nga bashkëshorti i saj, Dominique Pélicot, i cili më pas ftonte burra të panjohur ta përdhunonin pa dijeninë e saj. Pas gjyqit të Dominique Pélicot, shumë raste të ngjashme janë zbuluar në vende të ndryshme të Evropës, kryesisht në Gjermani dhe Holandë.
NCA, agjencia britanike që heton krimin e organizuar ndërkombëtar dhe veprat e rënda penale, njoftoi se ka zbuluar një rrjet ndërkombëtar të përbërë kryesisht nga burra, të cilët dyshohet se kanë kryer sulme seksuale të organizuara ndaj grave, pasi i kishin vënë ato nën ndikimin e lëndëve narkotike.
Hetimi nisi pasi gazetarë gjermanë zbuluan në vitin 2025 një forum online ku shkëmbeheshin materiale dhe informacione që lidhen me këto krime. Më pas, NCA identifikoi atë që e përshkroi si “një rrjet ndërkombëtar”, me anëtarë në dhjetëra vende dhe në të gjitha kontinentet.
Hetimi i platformës, identiteti i së cilës nuk është bërë publik, çoi në arrestimin e tetë personave në Britani. Ndërkohë, 14 hetime të tjera janë në zhvillim, si në Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe në vende të tjera.
Sipas autoriteteve, janë identifikuar më shumë se 270 persona të lidhur me këtë forum.
“Sulmet seksuale të lehtësuara nga përdorimi i drogës nuk janë më incidente të izoluara, por po bëhen gjithnjë e më të organizuara”, deklaroi Nigel Leary, zëvendësdrejtor i NCA-së.
Ai shtoi se fenomeni po favorizohet nga platformat dixhitale dhe theksoi se “shkalla e këtij fenomeni që kemi parë deri tani është thellësisht shqetësuese”.
Top Channel