“Jam në këtë protestë për natyrën, për Vjosë-Nartën”/ Rama i përgjigjet avokatit, thirrje protestuesve për dialog: Kjo është e vetmja rrugë

02/07/2026 22:58

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratës së avokatit Dorian Matlija, i cili njoftoi se do t’i bashkohet protestës qytetare në mbrojtje të mjedisit dhe kundër korrupsionit, duke theksuar se çështje të tilla duhet të trajtohen përmes dialogut me qeverinë dhe jo përmes përplasjeve politike.

“Unë jam dhe do mbetem pjesë e protestës qytetare. Jam në këtë protestë për natyrën, për Vjosë-Nartën, për flamingot, për transparencën, kundër korrupsionit, kundër kapjes së shtetit dhe arrogancës së pushtetit”, shkruan avokati.

Në përgjigjen e tij, Rama shkruan:

“Hap konstruktiv në drejtimin e duhur, po dy gjëra duhet t’i kuptojë kushdo ka arritur në këtë kthesë, paçka se me pak vonesë:

  1. Ky “pushteti kriminal” është në negociata me Bashkimin Europian për anëtarësimin e Shqipërisë dhe ka mandatin më të fortë popullor të 20 viteve të fundit, pikërisht që të mbyllë negociatat pa humbur asnjë ditë kohë e pa u çfokusuar në asnjë moment nga ky mision kombëtar.
  2. Sot nuk ka asnjë moment tjetër historik për të pasur parasysh, përveç rrugës së hapur të Bashkimit Europian për Shqipërinë, e cila nuk duhet lënë kurrësesi të mbyllet, ndërsa temat e “natyrës, Vjosë-Nartës, flamingove, transparencës, anti-korrupsionit apo arrogancës së pushtetit” ka vetëm një rrugë për t’i trajtuar me seriozitet:

Dialogu demokratik me Qeverinë Shqiptare”.

Top Channel