Vrasja e Endri Goxhajt në Memaliaj/ Pas dy muajsh arrati vetëdorëzohet në polici Marjaldo Nela, i shpallur në kërkim për përfshirje në ngjarjen kriminale

30/06/2026 13:08

Pas rreth dy muajsh në arrati, Marjaldo Nela, i shpallur në kërkim për vrasjen e ndodhur në Memaliaj, është vetëdorëzuar në polici.

Nela akuzohet për përfshirje në ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur në prill të këtij viti në Memaliaj, ku mbeti i vrarë Endri Goxhaj.

Siç raporton korrespondentja e Top Channel Entjola Budo, pas vetëdorëzimit, ai është ndaluar dhe është vënë në dispozicion të organeve të drejtësisë për vijimin e procedurave hetimore.

Ngjarja tronditi opinionin publik për shkak të rrethanave të saj, ndërsa pas krimit policia arrestoi disa persona dhe shpalli në kërkim autorët e dyshuar. Marjaldo Nela ishte një prej personave që kërkohej nga autoritetet.

Me vetëdorëzimin e tij, hetuesit pritet të marrin dëshminë e tij për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive penale për secilin prej të përfshirëve.

Top Channel