Prindërit akuzohen për vrasjen e të birit 7-vjeçar që peshonte 116 kilogramë, ditën që djali humbi jetën ata u shqetësuan për qenin dhe telefonuan veterinerin

26/06/2026 17:15

Një çift nga Flint Township, në shtetin amerikan të Miçiganit, është akuzuar për vrasje të shkallës së dytë, abuzim ndaj fëmijës dhe torturë, pas vdekjes së djalit të tyre 7-vjeçar, i cili peshonte rreth 116 kilogramë në momentin e vdekjes.

Sipas prokurorisë, 40-vjeçari Damien O’Brien dhe bashkëshortja e tij, Jessica O’Brien, 41 vjeç, e lanë djalin e tyre, Casper, të vuante nga neglizhenca ekstreme për një periudhë të gjatë.

Fëmija ndërroi jetë më 4 nëntor 2025, pasi u dërgua me urgjencë në spital. Raporti mjekësor përcaktoi se shkaku i vdekjes ishte kardiomiopatia e dilatuar, një sëmundje që çon në dështim të zemrës, ndërsa obeziteti morbid u konsiderua faktor kontribuues.

Casper ishte 127 centimetra i gjatë dhe peshonte 116 kilogramë, shumë mbi peshën normale për një fëmijë të moshës së tij.

Prokurori i Qarkut Genesee, David Leyton, deklaroi se rasti përfaqëson një neglizhencë të jashtëzakonshme dhe të qëllimshme nga ana e prindërve. “Ky fëmijë u përball me vuajtje mizore dhe ekstreme si pasojë e neglizhencës së prindërve të tij”, tha Leyton.

Sipas hetimeve, Casper nuk kishte ndjekur kurrë shkollën dhe ishte vizituar vetëm një herë nga një mjek gjatë jetës së tij, pavarësisht se familja kishte sigurim shëndetësor. Autoritetet zbuluan gjithashtu se ai dhe motra e tij 5-vjeçare nuk ishin të regjistruar në sistemet shtetërore dhe nuk kishin qenë kurrë nën mbikëqyrjen e shërbimeve për mbrojtjen e fëmijëve.

Mëngjesin që Casper vdiq, sipas prokurorit, prindërit thirrën veterinerin e tyre për të trajtuar qenin e familjes.

Policia e përshkroi banesën e familjes si një shtëpi në gjendje të rëndë, me grumbullim të madh sendesh. Damien dhe Jessica O’Brien ndodhen në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht. Seanca e tyre e radhës në gjykatë është caktuar për më 2 korrik.

Top Channel