Vetëm në ditën e 23-të të protestës, një prej pjesëmarrësve të saj foli publikisht në emër të të gjithë pjesëmarrësve në shesh duke artikuluar 5 kërkesa, në krye të të cilave ishte dorëheqja e kryeministrit Rama.
Ai ishte Dritan Goxhaj, një emër i njohur në ambientin publik në Tiranë, por jo më pak edhe në Prishtinë.
Dalja e tij për të artikuluar kërkesat e protestuesve bëri që e gjithë vëmendja të përqëndrohej te ish luftëtari i UÇK-së, një figurë e debatuar edhe për qëndrimet që ka mbajtur në konfliktin e fundit mes SHBA-ve dhe Iranit.
Dritan Goxhaj, rezulton gjithashtu edhe pjesëmarrës aktiv në Preshevë kundër ushtrisë serbe, ndërkohë që tre vjet më parë pati një proces gjyqësor në Tiranë për shkak të akuzave që iu ngritën në Gjykatën Speciale të Kosovës. Ai akuzohej për nxjerrjen e emrave të dëshmitarëve në disa çështje të hapura më parë nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Haga kërkonte ekstradimin e Goxhajt. Në procesin gjyqësor që u mbajt në Tiranë për kërkesën e ardhur nga Gjykata Speciale e Kosovës, Apeli i dha të drejtë Goxhajt, e më pas Gjykata e Lartë e rrëzoi kërkesën për ekstradim.
Gjatë këtyre viteve ai ka qenë aktiv në disa prej emisioneve televizive, teksa së fundmi u vu në qendër të vëmendjes edhe për qëndrimet e mbajtura në luftën mes SHBA-ve dhe Iranit.
“Që në momentin që kanë filluar agresionin ndaj Iranit, Amerika po përballet me sfidën më të thellë ushtarake të saj që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore.
Tashmë po shihet nga të gjithë rënia e fuqisë dhe ndikimit amerikan në Gadishullin Arabik e deri në ujërat e Gjirit Persik. Amerika ka hyrë më vetëdije në këtë luftë, por tashti duket se po ecin si sonanbul (njeri që ecën në gjumë) drejt një përplasje katastrofike dhe të pafitueshme, duke e bërë këtë jo më një dështim politik, por një kolaps strategjik”, shkruan në një prej komenteve të tij Goxhaj.
Top Channel