“PS të gjejë forcën të vetëpastrohet”/ Socialistja e Shkodrës i përgjigjet Spiropalit: Do të ishte e ndershme të fillonte nga ju

22/06/2026 21:59

Mirela Dodaj, ka komentuar deklaratën e ish-kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila i kërkoi një ditë më parë kryeministrit Rama të ndërmarrë një aksion vetëpastrimi në radhët e partisë.

Dodaj, me anë të një postimi në rrjetin e saj në Facebook, shprehet se vetëpastrimi duhet të nisë fillimisht nga Spiropali, duke i kujtuar se për vite me radhë ka qenë një nga figurat më të privilegjuara të PS-së.

“Elisa Spiropali,

kur flet për meritokraci, demokraci dhe vetëpastrim, duket sikur po flet për një parti ku nuk ke qenë kurrë pjesë e vendimmarrjes. E vërteta është krejt ndryshe.

Për vite me radhë keni qenë ndër figurat më të privilegjuara të Partisë Socialiste. Prandaj është e vështirë të kuptohet se kujt po i drejtohet thirrja juaj për vetëpastrim. Të tjerëve apo vetes?

Mbështes plotësisht qeverinë e Edi Ramës dhe reformat që kanë çuar Shqipërinë përpara, edhe në momentet kur ka qenë më e lehtë të bërtasësh sesa të marrësh përgjegjësi. Pikërisht për këtë arsye besoj se askush nuk duhet të sillet sot si gjykatës i të tjerëve, pasi ka qenë pjesë e pandarë e çdo procesi, çdo vendimmarrjeje dhe çdo problemi që sot kërkon të denoncojë.

Nëse vërtet duhet të nisë një proces vetëpastrimi në Partinë Socialiste, atëherë do të ishte e ndershme të fillonte nga ju, Elisa Spiropali.

Sepse para se të kërkosh llogari nga të tjerët, duhet të japësh llogari për veten”, shkruan Mirela Dodaj.

“Për ta arritur këtë, Partisë Socialiste i duhet të gjejë forcat, të mbledhë mendjen, të vetëpastrohet, të bëhet më dinamike, më demokratike, më kompakte, për të mbetur gjithmonë e re, gjithmonë e pastër, pa smërçe, pa ndryshqe, pa pehlivanllëqe”, ishte reagimi i Spiropalit një ditë më parë.

Top Channel