Konferenca e Komisionit të Bllokut Lindor në Berlin, Rama: Europa përballet me sfida të mëdha, duhet të jetë e hapur ndaj së ardhmes

17/06/2026 08:12

Kryeministri Edi Rama, mori pjesë si i ftuar nderi në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor në Berlin, një nga platformat më të rëndësishme të sipërmarrjes gjermane.

Konferenca mbledh çdo vit ekspertë të sigurisë, ekonomisë dhe inovacionit, si edhe përfaqësues të institucioneve kryesore gjermane, përfshirë Bundestagun, Kancelarinë dhe trupin diplomatik.

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te sfidat e mëdha gjeopolitike me të cilat po përballet Europa, duke theksuar se kontinenti duhet të jetë i gatshëm të përqafojë ndryshimet dhe të ndërtojë politika të orientuara drejt së ardhmes.

Është një kënaqësi e madhe dhe nder i veçantë të jem me ju”. Por unë nuk do të them këtë sepse nuk kam ardhur këtu thjesht se ky është një takim i rëndësishëm. Kam ardhur për shkak ka tri gjëra që bëhen bashkë në mënyrë të pazakontë: qyteti ku takohemi, momenti në të cilin takohemi dhe tema për të cilën më është kërkuar të flas.

Ta nisim me Berlinin, vendi ku u bë realitet transformimi ndoshta më i madh gjeopolitik i jetës sonë dhe jo vetëm sepse ra një mur, po sepse, pasi ai mur ra, doli një udhëheqës me guximin për të kuptuar çfarë kërkonte historia më pas.

Helmut Kohl nuk e pa ribashkimin gjerman si një sfidë administrative; e pa si domosdoshmëri gjeopolitike. Kundër kujdesit të tepruar. Kundër skepticizmit. Kundër urtësisë konvencionale të kohës.
Ai vendosi që Gjermania duhej të bëhej përsëri një vend i vetëm. Historia i dha të drejtë!
E nisa me Berlinin dhe me Kohlin, jo sepse ky auditor ka nevojë t’i kujtosh këtij rëndësinë që ka Gjermania për Europën. E bëra sepse besoj gjithnjë e më shumë se vetë Europa po i afrohet një momenti mjaft të ngjashëm.

Një momenti kur vazhdimi i menaxhimit të realitetit përmes procedurave, hezitimeve dhe supozimeve të trashëguara po bëhet më i rrezikshëm sesa marrja e vendimeve strategjike. Një moment që kërkon atë që unë do ta quaja një moment të ri Helmut Kohl sepse Europa gjendet sot përballë me një pyetje tejet të ngjashme me atë që Gjermania u përball atëherë: nëse ribashkimi është thjesht aspiratë që mund të menaxhohet pafundësisht, apo një domosdoshmëri që më në fund duhet përmbushur.

Dhe kjo më sjell menjëherë te tema për të cilën më është kërkuar të flas: e ardhmja europiane e Shqipërisë: reforma, qëndrueshmëria dhe novacioni në një peizazh gjeopolitik në ndryshim.
Po i kthehem një tjetër udhëheqësi të madh gjerman, Konrad Adenauerit, njërit prej etërve themelues të Europës moderne, i cili, dikur, konstatoi me mençuri: “Uniteti europian ishte ëndrra e pak njerëzve. U bë shpresa e shumë prej tyre. Sot, është domosdoshmëria e të gjithëve ne”.
Besoj, këto fjalë nuk kanë pasur kurrë më shumë peshë sesa sot sepse takohemi në një kohë kur rendi ndërkombëtar i bazuar mbi rregulla është nën trysni të fortë. Lufta është kthyer në Europë. Konkurrenca strategjike është bërë globale.
Teknologjia nuk po transformon vetëm ekonomitë, sistemet politike dhe shoqëritë me një shpejtësi të pakonceptueshme më parë, por po transformon edhe vetë mënyrën se si lidhemi me njëri-tjetrin dhe si e përjetojmë jetën e përditshme.

Rënia demografike po riformëson rajone të tëra dhe një dimër i ashpër demografik kërcënon të ardhmen e afërt të Europës. Siguria ekonomike është bërë e pandashme nga siguria kombëtare. Qëndrueshmëria politike është bërë e pandashme nga qëndrueshmëria informative dhe Europa nuk është më kontinenti i paqes dhe prosperitetit të përhershëm që deri vonë besonte se ishte.

Europa është bërë përsëri një fuqi e madhe që ndeshet me sfida të mëdha në një nga udhëkryqet e mëdha të historisë së saj. Në rrethana të tilla, hezitimi strategjik bëhet luks dhe fragmentimi bëhet dobësi.
Të dashur miq, falë prezantimit të Katerinës, tashmë e dini të gjithë që unë jam piktori më i madh mes kryeministrash. Do guxoja të thosha edhe midis kancelarësh, por nuk duhet të jesh piktor i madh për të parë se ajo që lihet jashtë një kompozimi shpesh zbulon më shumë sesa ajo çfarë përfshihet brenda tij.
Pak muaj më parë, Këshilli Europian miratoi projektin më ambicioz të integrimit që nga koha e Jacques Delors: Një Europë, Një Treg. Një dokument shumë ambicioz. I domosdoshëm. Vizionar. Strategjik. E megjithatë, mungonte diçka. I gjithë Ballkani Perëndimor! Një rajon tërësisht i rrethuar nga kufiri i Bashkimit Europian. Një rajon që ndodhet fizikisht në zemër të Europës. Një rajon që i mungon vizionit të Europës për vetveten.

Si një hapësirë bosh në qendër të telajos, si një Europë që vazhdon e pikturon një autoportret i cili, gjithnjë e më shumë, shëmbëllen me “Britmën” e Edvard Munch. Është veçanërisht e çuditshme, kur pikërisht ajo hapësirë shtrihet mbi një nga korridoret strategjike më të vjetra të Europës.

Më shumë se dy mijë vjet më parë, romakët ndërtuan “Via Egnatia”. Ajo lidhi Lindjen me Perëndimin. Tregjet me tregjet. Njerëzit me njerëzit. Fuqinë me fuqinë. Romakët kuptuan diçka që ne herë pas here e harrojmë: Ndërlidhja nuk është infrastrukturë. Ndërlidhja është fuqi dhe një sistem është aq i fortë sa hallka që i mungon.

Njëzet shekuj më vonë, Europa diskuton për korridore energjetike, korridore digjitale, korridore të lëvizshmërisë ushtarake, zinxhirë strategjikë furnizimi dhe sovranitet teknologjik. E megjithatë, rajoni përmes të cilit shumë prej këtyre korridoreve kalojnë natyrshëm mbetet jashtë arkitekturës.

Korridoret energjetike që i duhen Europës kalojnë përmes gjeografisë sonë. Rrjetet digjitale që Europa dëshiron kërkojnë territorin tonë. Mineralet kritike që Europa befas i ka rizbuluar si strategjike, gjenden nën tokën tonë. Kina e kupton këtë. Rusia sigurisht që e kupton. Edhe Europa e kupton, por ndonjëherë e harron kur shkruan planet e veta“, deklaroi Rama.

Top Channel