Rolando Maran pas fitores me San Marinon: Nuk jemi skuadër që di të menaxhojë avantazhin…
Ka mbrëmje që futbolli nuk i harron. Dhe kjo e 6, apo orët e para të mëngjesit të 7 tetorit 2026-të me orën tonë lokale, në Buenos Aires është një prej tyre.
Lionel Messi po luan sonte ndeshjen e fundit me fanellën e Argjentinës. Përballë është Benini, në Monumental, por kundërshtari dhe rezultati duket se janë kthyer në detaje përballë asaj që po ndodh jashtë dhe brenda stadiumit. Është fundi i një kapitulli 21-vjeçar të një prej karrierave më të mëdha që ka njohur futbolli. Dhe emocionet e Messit nisën shumë përpara se topi të rrotullohej.
Lotët në autobusin e Argjentinës
Gjatë rrugës nga qendra stërvitore e Ezeizës drejt Monumental, autobusi i kombëtares u rrethua nga mijëra tifozë. Flamuj bardhekaltër, fishekzjarre, këngë dhe një eskortë spontane tifozësh shoqëruan skuadrën drejt stadiumit. Kamerat ajrore dhe pamjet nga autobusi kapën një moment që po bën xhiron e botës: Messi duke fshirë lotët dhe duke u përpjekur të përmbajë emocionet.
I ulur pranë shokëve të skuadrës, kapiteni i Argjentinës nuk mundi ta fshehë atë që po ndodhte jashtë. Për herë të fundit po udhëtonte drejt stadiumit si futbollist i kombëtares. Një karrierë që nisi në vitin 2005 po arrin pikën e fundit.
Monumental i tejmbushur për numrin 10
Rreth 85 mijë tifozë pritet të jenë në Monumental për lamtumirën e kapitenit. Biletat u shitën në kohë rekord, ndërsa AFA e ka konceptuar mbrëmjen si shumë më tepër sesa një miqësore. Vetë AFA e ka quajtur eventin “La noche que nadie quiere que termine” – “Nata që askush nuk dëshiron të përfundojë”. Në stadium janë përgatitur koreografi, homazhe, muzikë live, shfaqje me dronë dhe fishekzjarre, ndërsa pas ndeshjes pritet edhe ceremonia e veçantë e lamtumirës. AFA kishte ftuar gjithashtu kampionët e botës të vitit 2022 dhe familjet e tyre për të qenë pjesë e kësaj nate.

Një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes pritet të vijë në minutën e 10-të të ndeshjes. Loja do të ndërpritet për pak çaste, ndërsa tifozët në Monumental do të ndezin dhe hedhin fishekzjarje në një homazh spektakolar për Lionel Messin dhe fanellën me numrin 10. Stadiumi pritet të kthehet në një det dritash dhe ngjyrash bardhekaltër, duke shënuar në mënyrë simbolike një nga momentet më të paharrueshme të lamtumirës së kapitenit.

21 vite, 208 ndeshje dhe 125 gola
Messi po mbyll një histori të jashtëzakonshme me fanellën bardhekaltër. Ai largohet si rekordmeni absolut i Argjentinës për ndeshjet dhe golat, me 125 gola dhe 68 asistime. Ndeshja me Beninin është paraqitja e tij e fundit dhe e çon bilancin në 208 ndeshje ndërkombëtare, sipas të dhënave të publikuara para sfidës. Por numrat tregojnë vetëm një pjesë të historisë.

Messi kaloi vite duke u kritikuar për mungesën e trofeve me Argjentinën. Humbja e finales së Botërorit 2014, tre finale të humbura radhazi në vitet 2014-2016 dhe momenti kur ai njoftoi tërheqjen e përkohshme nga kombëtarja në 2016 janë pjesë e një historie që përfundimisht mori një kthesë të jashtëzakonshme. Pastaj erdhi epoka e artë. Copa América 2021, Finalissima 2022, Botërori i Katarit 2022 dhe Copa América 2024. Dhe mbi të gjitha, Botërori në Katar e ndryshoi përgjithmonë marrëdhënien mes Messit dhe publikut argjentinas.
Nga kritikat te adhurimi absolut
Ironia e historisë së Messit me Argjentinën është se ai nuk ka qenë gjithmonë i dashur në vendin e tij. Në vitet e para pati kritika se nuk e përjetonte fanellën si Maradona, se ishte rritur në Spanjë dhe se performanca e tij me Barcelonën nuk përsëritej me kombëtaren. Sot panorama është krejt tjetër.

Argjentina nuk po i thotë thjesht lamtumirë një futbollisti. Po i thotë lamtumirë kapitenit që i riktheu Kupën e Botës dhe që e mbylli një prej historive më të komplikuara të dashurisë mes një futbollisti dhe kombëtares së tij. Reuters e përshkruan këtë marrëdhënie si një histori të gjatë dhe të vështirë dashurie që përfundimisht u kthye në adhurim kombëtar.
Një fanellë speciale për natën e fundit
Messi po luan nga minuta e parë dhe si kapiten. Për këtë ndeshje është përgatitur edhe një fanellë speciale, me detaje të arta dhe elemente të veçanta kushtuar numrit 10. Në formacionin e Argjentinës janë edhe shumë prej emrave që kanë ndarë me të vitet më të lavdishme: Dibu Martínez, Otamendi, Tagliafico, De Paul, Enzo Fernández, Mac Allister, Lautaro Martínez dhe Julián Álvarez.

Otamendi gjithashtu po luan ndeshjen e tij të fundit me Argjentinën, ndërsa Cristian Romero pritet të jetë një prej figurave qendrore të epokës pas Messit.
Edhe Neymar i tha lamtumirë
Mesazhet për Messin kanë ardhur nga e gjithë bota e futbollit. Një prej tyre ishte edhe nga Neymar, rivali dhe njëkohësisht miku i tij i madh nga epoka e Barcelonës. Edhe Rodrigo De Paul, një nga njerëzit më të afërt me Messin në kombëtare, ka folur për ndikimin që kapiteni ka pasur tek ai si futbollist dhe si njeri. Angel Di María gjithashtu ka qenë pjesë e homazheve për mikun dhe shokun e skuadrës.
“U largova në paqe”
Messi e kishte bërë të qartë vendimin për t’u tërhequr nga kombëtarja pas Botërorit 2026. Në mesazhin e tij të lamtumirës, të publikuar nga AFA, ai shkroi se vendimi i dhembte “në shpirt”, por se e kuptonte që kishte ardhur momenti. Messi theksoi se kishte dhënë gjithçka për fanellën dhe se do ta kishte të vështirë të mos dëgjonte më tifozët nga brenda fushës. Tani ajo fjali po merr kuptim të plotë.
Ndeshja e fundit, stadiumi i fundit, fanella e fundit, përshëndetja e fundit.
Dhe përpara fillimit, kur mijëra argjentinas e rrethuan autobusin e tij, Messi nuk mundi t’i mbante lotët. Sepse ndoshta për herë të parë, edhe ai e kuptoi plotësisht se po mbyllej një histori që nuk do të përsëritet më. (VIDEO)
Top Channel