Trump si Naruto Uzumaki/ Përdorimi i anime-ve nga Presidenti i SHBA ngjall reagime në Japoni, debat për të drejtat e autorit

16/06/2026 10:05

Në Japoni po rriten reagimet ndaj përdorimit nga Presidenti amerikan Donald Trump të personazheve të njohur të anime dhe manga në postimet e tij në rrjetet sociale.

Debati u ndez pasi në disa postime dhe video u vunë re imazhe të personazheve si Naruto, Pikachu dhe Yu-Gi-Oh!, ndërsa në një rast Trump është paraqitur duke u identifikuar me personazhin Naruto Uzumaki.

Rreth 20,000 persona kanë nënshkruar një peticion online, duke kërkuar respektimin e të drejtave të autorit dhe ndalimin e përdorimit të këtyre figurave për qëllime politike. Sipas tyre, personazhet anime përfaqësojnë vlera universale si guximi, miqësia dhe këmbëngulja, të cilat nuk duhet të përdoren në kontekste politike apo ushtarake.

Reagime ka pasur edhe nga industria e animacionit. “Pokémon Company International” ka deklaruar se nuk ka dhënë leje për përdorimin e imazheve të saj dhe se nuk është e përfshirë në krijimin apo shpërndarjen e materialeve të tilla.

Ndërkohë, disa përdorues në rrjetet sociale e kanë parë përdorimin e këtyre imazheve si një formë ekspozimi global për kulturën japoneze, duke argumentuar se kjo rrit njohjen ndërkombëtare të anime-ve.

Debati ka hapur diskutime të gjera në Japoni mbi kufijtë e përdorimit të kulturës pop dhe respektimin e krijuesve të saj në kontekst politik.

Top Channel